Keshilla

Fëmijët kanë nevojë për syze dielli më shumë se të rriturit

Syve të fëmijëve u duhet më shumë kohë të ‘filtrojnë’ rrezet ultravjollcë nga dielli.

Kjo është një arsye që ekspertët e syve duan që prindërit të dinë se syzet e diellit që bllokojnë rrezet UV janë thelbësore për mbrojtjen e syve të fëmijëve. Jo vetëm se fëmijët janë më të rrezikuar nga rrezet e dëmshme UV të diellit sesa të rriturit, por ata zakonisht kalojnë shumë më tepër kohë jashtë se të rriturit.

“Fëmijët qëndrojnë më shumë në diell dhe kjo ka efekte negative për sytë e fëmijëve, prandaj dhe duhet të jenë të mbrojtur mirë”, thotë Ashley Mills, CEO i Vision Council, organizatë që hulumton përdorimin e syzeve të diellit.

Kjo ndyshon nga mënyra se si u rritën prindërit ose gjyshërit, kur fëmijët kishin më pak gjasa të mbanin syze dielli. Kuptimi mjekësor i mënyrave se si rrezatimi UV mund të dëmtojë sytë e fëmijëve është gjithnjë e në rritje dhe mjekët tani kërkojnë që fëmijët të vendosin syze ashtu siç kanë kërkuar që të vendosin krem dielli.

Megjithatë, prindërit duhet të jenë të kujdesshëm kur zgjedhin syze dielli. Syzet e diellit të cilat nuk tregojnë mbrojtjen UV në etiketë, mund t'i vënë sytë e fëmijëve në rrezik më të madh nga dëmtimi i diellit.

Pse sytë e fëmijëve janë të rrezikuar nga UV?

Ekspozimi ndaj ultravjollcës mund të shkaktojë dëmtime nga qepallat deri në brendësi të syrit.

“Sytë janë shumë delikatë dhe ekspozimi i tyre në diell mund të sjellë një rrezik të kancerit të lëkurës”, thotë Rishi Singh, oculist.

Sytë e fëmijëve gjithashtu mund të digjen nga dielli, duke çuar në skuqje, dhimbje dhe ndonjëherë humbje të përkohshme të shikimit. Ekspozimi i zgjatur ndaj rrezeve ultraviollcë mund të dëmtojë gjithashtu konjuktivën, një membranë e hollë që shtrihet në pjesën e përparme të syrit.

Cilat syze dielli janë më të mira për fëmijët?

Kërkoni syze dielli me etiketa që thonë se ofrojnë 100 për qind mbrojtje UVA/UVB ose UV400. Syzet e errëta të diellit pa mbrojtje nga rrezet UV mund të jenë të rrezikshme. Ato i nxisin bebëzat të zgjerohen, duke lënë të hyjë edhe më shumë rrezatimi i dëmshëm i diellit.

Po sikur fëmija të mos dojë të mbajë syze dielli?

Syzet e diellit mund të jenë një problem për fëmijët, të cilët mund të acarohen nga syzet që prekin hundën dhe veshët. Prindërit mund të gjejnë syze që kanë një rrip që të mos i heqin fëmijët ose të gjejnë syze me kukullat e tyre të preferuar, gjithmonë nëse janë me mbrojtje nga dielli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë