Rend dhe Ligj

Tre emra në garë për SPAK

Sot është afati i fundit për prokurorët anëtarë të Strukturës së Posaccme Antikorrupsion që dëshirojnë të drejtojnë këtë strukturë, që të dorëzojnë dokumentacionin së bashku me vizionin e tyre për këtë organ të ri të reformës në drejtësi.

I pari që ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën është prokurori Arben Kraja, i njohur si një prej prokurorëve që hetoi dosjen e Rrugës së Kombit, ku u hetua edhe Lulzim Basha. Pas tij kanë dorëzuar kandidaturat edhe prokurorët Edvin Kondilli dhe Altin Dumani.

Kërkesat janë shoqëruar me planin dhe vizionin e kandidatëve për ndërtimin e Prokurorisë së Posaçme si institucion funksional dhe efektiv. Kraja është i njohur si prokurori që hetoi dosjen hetimore për Rrugën e Kombit, ku u hetua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

KLP miratoi më 25 nëntor aktet për emërimin e tetë prokurorëve të SPAK. Vendimi i hapi rrugë ngritjes së kësaj strukture, ndonëse me numër më të vogël prokurorësh nga sa e përcakton Kushtetuta.

Tashmë, tetë anëtarët e SPAK do të betohen para Presidentit Ilir Meta më 19 dhjetor.

Lista e prokurorëve përbëhet nga Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho.

Anëtarët e SPAK-ut do të kenë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë emërimi. Në të njëjtën mbledhje, KLP hapi garën për drejtuesin e përkohshëm të kësaj strukture, e cila do të ketë si fokus hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimin e organizuar.

Afati për të zgjedhur drejtuesin e përkohshëm të SPAK i vendosur më 25 nëntor ishte 15 ditë pune nga kjo datë.

Për të zgjedhur drejtuesin e SPAK, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi propozoi që çdo anëtar i KLP-së të votojë duke shpjeguar pikëzimin e tij për çdo kandidat në një formular pikëzimi.

Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga presidenti, kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të qeverisë ose jo. Kjo strukturë do të ketë ndihmën e një strukture tjetër hetimore që është Byroja Kombëtare e Hetimit, (BKH), anëtarët e të cilës janë hetuesit dhe oficerë të Policisë Gjyqësore.

 

Më Shumë