Treg

Faturat e energjisë në botë mund të rriten më shumë nga sa pritej gjatë dimrit

Faturat mesatare të energjisë për konsumatorët familjarë mund të arrijnë më shumë se 3.600 paund në vit këtë dimër, sipas një parashikimi të ri.

Consultancy Cornwall Insight( ofron analizë të tregut të energjisë përmes konsulencës) tha se fatura mesatare për gazin dhe energjinë elektrike në Angli, Uells dhe Skoci mund të arrijë në 3.615 paund në vitin e ardhshëm – disa qindra paund më shumë sesa parashikimet e mëparshme.

Qeveria ka njoftuar një paketë masash për të ndihmuar familjet për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

Megjithatë, ka pasur thirrje për më shumë mbështetje për konsumatorët familjarë.

Fatura mesatare e energjisë ishte 1.400 paund në vit në tetorin e vitit 2021. Rritja e fundit e tavanit të çmimit të energjisë, në prill të vitit 2022, bëri që fatura mesatare të shkojë në rreth 2.000 paund.

Kufiri ose “tavani” i çmimit, i cili është shuma maksimale që furnitorët mund të faturojnë klientët për përdorimin mesatar të energjisë në Angli, Skoci dhe Uells, pritet të rritet përsëri në muajin tetor.

Cornëall Insight tha për BBC se konsumatori mesatar në Britani me shumë mundësi do të duhet të paguajë 3.358 paund në vit duke filluar nga muaji tetor, e më pas 3.615 paund në vit që nga janari.

Kjo shifër është shumë më e lartë sesa parashikimet e mëparshme.

Shenja të pakta për ulje të mundshme të faturave

Dr. Craig Loërey, konsulent kryesor në Cornëall Insight, tha se rritja e çmimeve të gazit me shumicë dhe shqetësimet për reduktimet e furnizimeve nga Rusia janë shkaktarët kryesorë të kësaj gjendjeje. Ai paralajmëroi se ndihma e shpallur e qeverisë nuk do të zgjidhë përfundimisht problemin.

“Megjithatë, teksa rritja e parashikimeve për tetorin dhe janarin mbetet një shqetësim i madh, nuk është thjesht niveli i rritjeve, por edhe kohëzgjatja e tyre, që i bën këto parashikime të reja kaq të rënda për perspektivën ekonomike,” tha ai.

“Duke pasur parasysh nivelin aktual të çmimit të shitjes me shumicë, ky nivel i faturave të energjisë për konsumatorët familjarë ka pak gjasa që të ulet përpara vitit 2024.

Në maj, agjencia rregullatore e energjisë Ofgem tha se familja normale do të ketë një rritje prej 800 paund në tetor, e cila do ta çojë faturën totale në 2,800 paund në vit.

Megjithatë, më pas, agjencia pranoi se “çmimet duket se do të jenë më të larta sesa vlerësimet tona”.

Tavani i çmimit të energjisë vendos një kufi për shumën që mund të paguhet për çdo njësi të energjisë. Ai bazohet te çmimi që furnitorët e energjisë i paguajnë prodhuesve për energjinë elektrike dhe gazin.

Ky çmim është rritur ndjeshëm edhe në të gjithë Europën, kryesisht si pasojë e luftës në Ukrainë, e cila ka reduktuar furnizimet nga Rusia. Gjermania për të kursyer energji elektrike po fik të gjitha dritat në qytete në darkë.

Ndihma prej 400 paund

Një zëdhënës nga Departamenti për Biznesin, Energjinë dhe Strategjinë Industriale tha: “Megjithëse asnjë qeveri nuk mund të kontrollojë çmimet globale të gazit, ne po ofrojmë 37 miliardë paund ndihmë për familjet, duke përfshirë një zbritje prej 400 paund në faturat e energjisë dhe 1,200 paund mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet më vulnerabël, për të ndihmuar në përballimin e kostove të jetesës.”

Javën e kaluar, qeveria shpjegoi mënyrën se si familjet në Angli, në Skoci dhe në Uells do të marrin shumën prej 400 paund, e cila do t’i ndihmojë ato për të përballuar rritjen e faturave të energjisë këtë vjeshtë. Paratë do të paguhen në gjashtë këste.

Kjo zbritje në faturat e energjisë është pjesë e një pakete më të gjerë masash për të përballuar rritjen e çmimeve.

Masat e tjera përfshijnë një pagesë prej 650 paund për më shumë se tetë milionë familje me të ardhura të ulëta.

Kësti i parë i pagesave për ata që do të përfitojnë nga këto ndihma ka nisur të ofrohet që nga 14 korriku.

Burimi: BBC; Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë