Biznes

Fasonët: Shfuqizoni Protokollin e Kuq, s’e përballojmë dot

Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe ProEksport Albania i kërkojnë qeverisë shfuqizimin e Protokollit të Kuq pasi sipas tyre është i parealizueshëm financiarisht,

Duke deklaruar se ky protokoll nuk është diskutuar me grupet e interesit, kryetarët e shoqatave respektivce të sipërmarrjeve fason e konsiderojnë Protokollin e Kuq mbi masat Higjieno-Sanitare COVID-19 për bizneisn e tyre, si një protokoll jo realist dhe të pazbatueshëm në praktikë.

“Ky konsiderohet nga ne një protokoll i pamundur për tu implementuar, pasi nga njëra anë kushtet që janë fiksuar në të për ndërmarrjet fason janë kushte të parealizueshme teknikisht e të papërballueshme financiarisht dhe nga ana tjetër është e pakuptimtë shtrëngesa e masave deri në absurd shumë më tepër se sa protokolli i mëparshëm, megjithëse vendi po shkon drejt lehtësimit të masave shtrënguese”, shkruajnë në letrën e tyre drejtuar kreut të qeverisë Edi Rama, Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë me kryetar Gjergji Gjika dhe Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve me kryetar Florian Zekja.

Proeksport Albania shpjegon se “Protokolli i Kuq parashikon se, “në rast të vajtje-ardhjes në punë me shërbim transporti me autobusë, punonjësit ulen në anësoret e dritareve të autobusit, duke lënë një hapësirë rreshti bosh pas tyre”. "Kjo është tërësisht e pamundur! Në autobus apo automjetet tona private (furgon), ne i kemi detyruar punëtorët tanë të mbajnë detyrimisht maska dhe dorezat dhe të shmangin prekjen e sipërfaqeve. Në autobus dhe në automjetet tona private, ne sigurojmë matjen e temperaturës:  a) në fillim kur punëtorët hipën në mjetin e transportit; b) kur punëtorët hyjnë në mjediset e punës; c) kur punëtorët dalin nga mjediset e punës. Nëse gjejmë shenja të temperaturës së caktuar nga autoritetet (37,5 gradë) Ne nuk pranojmë në punë punëtorë të tillë”, thotë Proeksport Albania e cila bën me dije se masat mbrojtëse janë marrë sipas urdhërave të kërkuar që nga maskat, dorashkat e dezinfektueist.

Shoqatat bën me dije se kompanitë e fasonerisë e kanë të zgjidhur problemin e mjekut të ndërmarrjes dhe nuk ka sens të kenë në dispozicion një mjek në tetë orë, sepse kanë përjashtuar cdo të punësuar që ka shënjën e parë, atë të temperaturës së deklaruar.

"Nuk mundet - citon Proeksport Albania në letër - që kompanitë e fasonerisë të dezinfektojnë dy herë në ditë mjediset e tyre. Kjo është edhe praktikisht e parealizueshme dhe nuk përballohet edhe financiarisht.

Shoqatat sqarojnë se protokolli i mëparshëm është monitoruar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe ka mirëfunksionuar.

Ata kërkojnë mbi të gjitha, mbështetje shtetërore logjistike e financiare për sektorin e industrisë me material porositës (Fason), të cilët janë në vështirësi te jashtezakonshme si pasojë e mbylljes së detyruar të veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së fatkeqësisë natyrore në vend dhe pandemisë COVID-19 në Europë e më gjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë