Shendet

Tre protokolle sigurie për biznesin që do të hapet

Bizneset që do të lejohen të ushtrojnë aktitetin e tyre do të duhet të plotësojnë me domodoshmëri protokollet përkatëse të sigurisë higjieno-sanitare. Qeveria ka publikuar në e-Albania tre protokolle, duke i ndarë bizneset në tre kategori, sipas numrit të punonjësve të tyre.

Në kategorinë e parë, ose në atë që njihet si protokolli jeshil, që nga ekspertët që këshillojnë Qeverinë konsiderohet me nivel të ulët përhapjeje koronavirusi përfshihen të gjitha bizneset që kanë maksimumi 25 punonjës.

Në këtë grup përgjegjës për kontrollin e kushteve higjieno-sanitare dhe shëndetin e personelit është vetë pronari, ose administratori i biznesit. Në ambientet e punës është e detyrueshme sigurimi i dorezave, maskave mbrojtëse që duhet të ndryshohen periodikisht, apo maska të bëra vetë me kusht që të lahen në 90 gradë celcius çdo ditë.

Po ashtu, është në dorë të sipërmarrësit, ose administratorit të biznesit që në bazë të udhëzime të marra nga strukturat e shëndetësisë dhe të shëndetit publik që të identifikojë persona të mundshëm të infektuar, kur kanë temperaturë mbi 37.5 gradë celcius, kollë, dhimbje fyti, rrufë, lodhje fizike dhe vështirësi në frymëmarrje. Sipas protokollit, në të gjitha rastet kur punonjësit kanë një, disa apo të gjitha këto simptoma nuk duhet lejuar që të vazhdojë punën dhe për çdo rast duhet të kontaktohet urgjenca në numrin 127.

Në ambientet e punës, protokolli jeshil kërkon garantimin e distancës prej 2 metrash mes punonjësve dhe klientëve dhe klientët të kenë akses në hyrje dhe dalje të biznesit tek materiale higjienizuese. Distanca duhet të ruhet edhe gjatë shërbimit të klientit. Në çdo rast është taksative që ofrimi i shërbimit nga një punonjës nuk mund të kryhet tek më shumë se një klient njëkohësisht. Duhet të garantohet mbajtja e radhës në distancë, që vetë biznesi duhet ta ketë të përcaktuar me sinjalistikën e nevojshme udhëzuese.

Protokolli kërkon që numri i klientëve brenda një ambienti të mbyllur të mos jetë më shumë se një për 10 metra/katrorë dhe mjediset e brendshme të ajrosen të paktën 3 herë në ditë, por jo përmes pajisjeve, si kondicionerë.

Në kategorinë e dytë përfshihen bizneset me 25 deri në 50 punonjës. Për këtë kategori është parashikuar protokolli i verdhë, që do të thotë se këto biznese kategorizohen si biznese me risk të moderuar për përhapjen e virusit.

Protokolli në këtë rast ngarkon me detyrën e respektimit të kushteve higjieno-sanitare dhe të identifikimin e rasteve të mundshme me Covid-19, si pronarin, apo administratorin e biznesit, ashtu edhe vetë punëtorët. Sipas këtij protokolli, i gjithë personeli duhet të bëjë kujdes, duke matur temperaturën, apo edhe duke marrë masën e vetëizolimit nëse dyshon se është i infektuar.

Në rastet kur shfaqen simptomat e koronavirusit veprohet duke marrë në telefon urgjencën kombëtare në numrin 127. Ashtu si në protokollin jeshil, edhe në këtë rast masat higjieno-sanitare dhe respektimi i distancave fizike është i njëjtë.

Protokolli kërkon që kushtet strikte higjieno-sanitare dhe distanca fizike të respektohet edhe gjatë transportit të punonjësve, në rastet e bizneseve që kanë transport të organizuar të tyre, përmes autobusëve, apo mjeteve të tjera, që në të gjitha rastet duhet të lëvizin vetëm pasi të jenë pajisur me lejen përkatëse.

Kategoria e tretë përfshin bizneset me mbi 50 punonjës, që do t’u nënshtrohen rregullave të protokollit të kuq, që do të thotë se kanë një rrezikshmëri të lartë të përhapjes së virusit. Në këtë kategori përfshihen call-centerat, fabrikat fasone dhe aktivitete të tjera me numër të lartë punonjësish.

Për këtë kategori është i detyrueshëm prania e përhershme e një mjeku, që nuk lejohet të punojë në biznese të tjera. Mjeku ka përgjegjësi në zbatimin e protokollit, udhëzimin e personelit në zbatimin e kushteve të sigurisë higjieno-sanitare dhe të mbikëqyrë dhe kontrollojë çdo ditë dhe periodikisht shëndetin e punonjësve, jo vetëm të biznesit ku punon, por edhe të punonjësve të tjerë me të cilët biznesi në fjalë ka kontakte, e deri tek klientët.

Kur vërehet se një punonjës, apo klient ka simptomat koronavirusi, atëherë mjeku duhet të kontaktojë urgjencën kombëtare, që më pas shqyrton vendosjen në karantinë të të gjithë ndërmarrjes, deri në një moment të dytë.

Kushtet higjieno-sanitare dhe distanca fizike edhe në këtë rast është e njëjtë. E përbashkëta e të tre protokolleve është se shkelja e kushteve të përcaktuara prej tyre ndëshkohet me gjoba të majme, heqje të drejte për ushtrim aktiviteti e deri tek ndjekja penale për personat përgjegjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë