Taksa

Fasonët pa TVSH…

Bizneset fasonë në vend që prej 1 janarit 2019 nuk do të paguajnë më TVSH-në.

Ministria e Financave në Paketën Fiskale të vitit të ardhshëm ka propozuar

“Disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin NR. 92/2014 “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR” përmes të cilit përfitojnë disa kategori nga përjashtimi ose zbritja e TVSH-së, mes tyre është edhe industria fason.

Në relacionin shpjegues citohet se “Aktualisht furnizimi i shërbimit të përpunimit të mallrave joshqiptare të destinuara për t’u rieksportuar, të kryera nga nënkontraktorët për llogari të shoqërisë së përpunimit aktiv që e ka kontraktuar, është furnizim i tatueshëm me shkallën standarde 20 për qind, ndërkohë që më herët ky furnizim ka qënë i përjashtuar nga TVSH-ja. Me qëllim adresimin e kërkesës së industrisë fason e cila ka kërkuar që përsëri ky furnizim të trajtohet si furnizim i përjashtuar, propozohet përfshirja e këtij furnizimi në listën e furnizimeve të përjashtuara nga TVSH-ja.”  

Sipas Ministrisë, ky projektligj duke synuar; nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në fushën e digjitalizimit të mediave audiovizive, nxitjen dhe zhvillimin e “transportit publik të gjelbër”, duke zëvendësuar autobusët e transportit publik me naftë me autobus elektrikë, mbështetjen e sektorit bujqësor, duke lehtësuar kostot e investimit, zhvillimin e industrisë vendase të prodhimit të barnave. duke lehtësuar koston e lëndëve të para për prodhimin e tyre ka parashikuar lehtësime në bizneset që ushtrojnë këto veprimtari.

Aktualisht, furnizimi (shitja) i shërbimit të reklamave nga media elektronike është furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, sipas nenit 53, gërma “j” të ligjit “Për TVSH-në”, dhe në zbatim të dispozitave të këtij ligji, këto subjekte nuk mund të zbresin TVSH-në e paguar në blerjet brenda vendit dhe në import, të kryera në funksion të furnizimeve të përjashtuara, ndryshe nga subjektet që kryejnë furnizime të tatueshme dhe zbresin TVSH-në e paguar në blerje. TVSH-ja e paguar në blerjet brenda vendit dhe në import në këtë rast, është kosto për mediat.  Prandaj, sqaron relacioni, me qëllim nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në kuadër të digjitalizimit të mediave audiovizive (televizionet), propozohet që shkalla e reduktuar 6 për qind të aplikohet edhe për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive (televizionet).

Gjithashtu, transporti rrugor duke qenë kontribues mjaft i madh i ndotjes së ajrit dhe mjedisit, shpjegon Ministria e Financave,  çon në kërkimin e të ashtuquajturit “Transport të gjelbër”, që do të thotë çdo lloj praktike e transportit apo automjet, që është eko–miqësore dhe që nuk ka ndikim negativ në mjedis. Një nga mënyrat e transportit të gjelbër është e lidhur pikërisht me transportin publik me autobus, nëpërmjet zëvendësimit të autobusëve me naftë me autobus elektrikë. Me qëllim futjen dhe nxitjen e përdorimit të autobusëve elektrikë në ofrimin e shërbimit të transportit publik të udhëtarëve, Financat kanë propozuar që furnizmi i tyre të mos trajtohet me shkallën standarde të TVSH-së 20 për qind, por të aplikohet një shkallë e reduktuar prej 10 për qind.

Paketa e re fiskale për pjesën e TVSh-së ka parashikuar që furnizimi i makinave bujqësore, të jetë furnizim i përjashtuar jo vetëm në import por edhe brenda vendit, sipas po së njëjtës listë makinash bujqësore, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ministria thotë se “Duke qënë se tashmë furnizimi i makinave bujqësore do të jetë i përjashtuar si në import ashtu dhe kur shitet brenda vendit, për të gjithë personat, propozohet që ky furnizim të përfshihet në listën e furnizimeve të përjashtuara brenda vendit (neni 53 i ligjit për TVSH-në) dhe si i tillë në zbatim të pikës 1, neni 56 të ligjit, është furnizim i përjashtuar dhe në import. Për rrjedhojë, hiqet parashikimi sipas pikës 41 të nenit 56, që përcakton përjashtimin e makinave bujqësore vetëm në import.” 

Referuar relacionit që shoqëron projektligjin për ndryshimet dhe shtesat në TVSH, furnizimi i barnave është furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja si brenda vendit dhe në import, në përputhje me nenin 51, të ligjit “Për TVSH-në” dhe si i tillë, për këto furnizime, subjektit që i kryen ato, nuk i lind e drejta e zbritjes së TVSH-së. TVSH-ja e paguar në këtë rast, është kosto, prandaj, sqaron relacioni, “me qëllim zhvillimin e industrisë vendase të prodhimit të barnave duke lehtësuar koston e lëndëve të para për prodhimin e tyre, propozohet që, importimi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave, të kryera nga mbajtësit e autorizimit të prodhimit, sipas legjislacionit të fushës për barnat, të jetë furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja. Ndërkohë që, nuk e përfitojnë përjashtimin nga TVSH-ja lëndët e para që janë me përdorim të dyfishtë. Gjithashtu parashikohet që lista e lëndëve të para për prodhimin e barnave, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë