Shendet

Faqet e grisura të librit të Covid…

Nga prof.Perlat Kapisyzi* - Në 2019 filloi të shkruhej libri i Covid-19 dhe që në fillim të tij filluan të griseshin disa faqe. U bënë gabime të pafalshme, a thua se nuk kishin ndodhur pandemi më parë.

Si fillim ishte fakti se Covid-19 “u zyrtarizua” shumë vonë në Kinë.

Ndërkohë që Covid-19 zbulohej nga insuficienca respiratore, në librin e tij u shkrua se kontakti ishte mënyra se si transmetohej dhe të gjithë filluan të këshillonin me fjalën “lani, lani, lani” dhe “mos harroni të mbani maskën”. U bënë me qindra video si duhej të lanim duar apo si duhej të shtypej butoni në ashensor dhe këto janë ‘shpikje’ të panevojshme.

Një vit më vonë CDC dhe WHO e vërtetuan këtë duke thënë se përhapja e infeksionit nëpërmjet kontaktit është deri diku e papërfillshme dhe ju dha rëndësia që duhej maskës.

Një faqe tjetër e grisur e Covid është vlera e CT. Pati shumë artikuj që nuk duhej përdorur por përballë një pandemie ku testet ishin të kufizuara, përdorimi i skanerit pulmonar u nënvlerësua dhe ndoshta prandaj në fillim të pandemisë kishim shumë paqartësi rreth gjendjes së pacientëve.

Më vonë doli edhe “2 metra largësi” që u gris shpejt nga libri i Covid-19. Ajo ngeli histori sepse më vonë dolën studimet që treguan se kjo largësi nuk ndikon fare pasi virusi shpërndahet pavarësisht nëse rri 2 metra lart personit. Por kjo ide bëri që njerëzit të mos mbanin maskë kur ishin 2 metra larg të tjerëve sepse ndjeheshin të mbrojtur nga largësia.

U përhap panik gjithashtu se në shtator do të kishte një përzierje të Covid dhe gripit bashkë edhe pse studimet kanë treguar se kur një virus është dominant, virusi tjetër zbehet dhe nuk mund të jenë të dy të rëndë dhe të pranishëm njësoj.

Në fillim u tha se një pacientë që rezulton pozitiv edhe pas 14 ditësh pasi është infektuar, duhet të izolohet ndërkohë që më pas u tha se edhe pse mund të rezultosh pozitiv, mund të dalësh pas 10 ditësh por duke mbajtur maskën.

Një faqe tjetër e grisur në librin e Covid janë testimet pafund. Sa kuptim kanë testimet pafund në krahasim me testimet rigoroze.

Po të marrim shembull Gjermaninë, Anglinë apo Amerikën që bënë testime pafund dhe përsëri kishin rritje të numrit të infeksioneve dhe vdekshmërisë.

Gjithashtu, një pacient që kalon Covid-19 nuk ka pse bën 2 doza apo 3. Mjafton një dozë.

Ajo që u vu re në pandemi dhe që vlen të përmendet është fakti se pandemia trajnoi mjekët e familjes të cilët u familjarizuan dhe me dinamikën në momente të vështira siç ishte periudha e Covid. Tani rastet janë gjithmonë të kompletuara.

*Profesor Perlat Kapisyzi ishte pjesë e forumit shkencor të Akademisë së Shkencave për pasojat e Covid-19 në shëndet dhe shoqëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë