Analize

Fantazia me udhëheqësin autoritar dhe diktatura në jetën reale

Nga Timothy Snyder- Shumë amerikanëve u pëlqen ideja e sundimit nga një njeri i dorës së fortë. E pse jo në krye një diktator që do t’i realizojë të gjitha punët? Unë kam jetuar në Evropën Lindore kur kujtimet e komunizmit ishin ende të freskëta. Kam vizituar disa rajone në Ukrainë, ku Rusia ka vendosur sot regjimin e saj pushtues.

Kam kaluar dekada duke lexuar dëshmitë e njerëzve që kanë jetuar nën sundimin nazist apo stalinist. Kam parë varre masive, disa të vjetra, disa të reja. Dhe kam shumë miq që kanë jetuar nën regjime autoritare, përfshirë të burgosur politikë dhe të mbijetuar të torturave të tmerrshme.

Disa nga njerëzit të cilëve u besoja më shumë janë vrarë. Prandaj mendoj se e kam një përgjigje për këtë pyetje. Sundimi i një udhëheqësi autoritar është një fantazi. Për të, thelbësore është ideja që një lideri autoritar do të jetë lideri juaj i fortë. Në fakt nuk është kështu.

Në një demokraci, përfaqësuesit e zgjedhur i dëgjojnë votuesit e tyre. Ne e marrim këtë gjë si diçka të mirëqenë, dhe imagjinojmë me naivitet se edhe një diktator do të na kishte borxh diçka. Por vota që hodhe për të në kutinë e votimit, pohon mungesën tënde të informacionit. Thelbi është se një udhëheqës autoritar nuk na ka borxh asgjë. Ne abuzohemi prej tij, dhe çuditërisht mësohemi me të. Një iluzion tjetër, është se ky lloj udhëheqësi do ta bashkojë kombin. Por një diktator aspirant, do të pretendojë gjithmonë se disa janë me të dhe të tjerët jo. Ai do të etiketojë ai armiq shumë grupe, njëri pas tjetrit.

Kjo mund të përjetohet jo aq keq, për sa kohë që ju mendoni se jeni në anën e duhur. Por tashmë frika bëhet thelbi i jetës. Sapo ka nisur politika “ne përkundrejt atyre”, dhe ajo nuk mbaron asnjëherë. Ne ëndërrojmë gabimisht se një udhëheqës autoritar do të na lejojë të fokusohemi tek Amerika.

Por diktatura e hap vendin tonë ndaj gjësë më të keqe që ka për të ofruar bota. Një udhëheqës autoritar amerikan, do ta maste veten me pasurinë dhe fuqinë e diktatorëve të tjerë. Ai do të miqësohet me ta dhe do të garojë me ta. Prej tyre, ai do të mësojë mënyra të reja për ta shtypur dhe për të shfrytëzuar popullin e tij.

Në rregull, por të paktën ky lloj lideri do t’i realizojë gjërat, vazhdon fantazia e mbështetësve të këtij vizioni. Por sot pushteti diktatorial, nuk ka të bëjë me arritjen e ndonjë gjëje pozitive. Por me parandalimin që dikush tjetër të arrijë diçka.

Një lider i ashtuquajtur i fortë, është në fakt një njeri i dobët:sekreti i tij, është se ai i bën të gjithë të tjerët më të dobët. Duke mos dhënë asnjë llogari para ligjit dhe votuesve, diktatori nuk ka arsye të marrë në konsideratë asgjë që është përtej interesave të tij personale. Dhe në shekullin XXI-të, këto janë shumë të thjeshta:të vdesësh në shtratin tënd si një miliarder.

Për të pasuruar veten dhe për të shmangur burgun, një lider autoritar e shpërbën de fakto sistemin e drejtësisë dhe i zëvendëson nëpunësit civilë me njerëzit e tij besnikë. Burokratët e rinj nuk do të kenë asnjë ndjenjë përgjegjësie. Ndaj do të degradojnë funksionet bazë të qeverisjes.

Qytetarët që duan qasje në të, do të mësojnë të paguajnë ryshfet. Burokratët që janë në detyrë falë patronazhit do të jenë të korruptuar, dhe qytetarët do të jenë të dëshpëruar. Shumë shpejt korrupsioni bëhet një dukuri normale, madje e padiskutueshme. Ndërsa fantazia mbi sundimin e një lideri të dorës së fortë, nis të zbehet nën diktaturën e përditshme, njerëzit e kuptojnë se kanë nevojë për gjëra të tilla si uji, shkolla apo një sistem efikas të ndihmës sociale.

Përderisa këto janë të disponueshme nën një diktaturë, ato vijnë me një çmim moral dhe financiar. Kur të shkoni në një zyrë qeveritare, do të pritet të deklaroni besnikërinë tuaj personale ndaj udhëheqësit të madh. Dhe nëse keni një ankesë për këto praktika, aq më keq për ju.

Amerikanët janë njerëz kontestues, dhe shumë prej nesh supozojnë se mund të shkojmë në polici apo depozitojmë një padi një gjykatë. Por kur voton për një udhëheqës autoritar, ti ke votuar kundër sundimit të ligjit. Në gjykatë do të kenë rëndësi vetëm besnikëria dhe pasuria.

Amerikanët që nuk kanë frikë nga policia do të mësojnë ta bëjnë këtë. Ata që veshin uniformën ose duhet të japin dorëheqjen ose të bëhen zbatues të tekave të një njeriu. Të gjithë (përveç diktatorit, familjes dhe miqve të tij) do të bëhen më të varfër. Sistemi i tregut varet zakonisht nga konkurrenca.

Aktivist gjatë protestës kundër pushtimit rus të Ukrainës gjatë një mitingu përballë Shtëpisë së Bardhë, në Uashington, DC më 25 shkurt 2022. 

Ndërsa nën sundimin e një udhëheqësi autoritar, nuk do të ketë një gjë të tillë. Klani i të fortit do të favorizohet nga qeveria. Pabarazia e pasurisë, tashmë në nivele shqetësuese, do të thellohet më tej. Cilido që shpreson të ecë përpara të duhet të kërkojë patronazhin e oligarkëve zyrtarë.

Drejtimi i një biznesi të vogël, do të bëhet i pamundur. Sapo të arrini njëfarë suksesi, dikush që mund ta dëshirojë biznesin tuaj ju denoncon tek autoritetet. Në fantazinë e sundimit nga një lider i fortë, zhduket politika dhe gjithçka duket e qartë dhe e ndritshme. Në fakt, një politikë e zymtë depërton në gjithçka.

Nuk mund të drejtosh një biznes pa kërcënimin e denoncimit. Nuk mund të merresh dot shërbimet bazë pa u poshtëruar. Nisni të ndiheni keq me veten. E mendoni mirë atë që doni thoni, pasi ajo mund të përdoret kundër jush më vonë. Ajo që bëni në internet regjistrohet përgjithmonë, dhe mund t’ju çojë në burg.

Hapësira publike rreth jush ngushtohet shumë. Nuk mund të shkosh të dëfresh në një lokal ose në bowling, pasi gjithçka që thua monitorohet. Personi në stolin tjetër apo në korsinë tjetër mund të mos ju denoncojë tek autoritetet, por ju duhet të supozoni se ai mund ta bëjë këtë.

Nëse keni një bluzë me një mesazh, dikush do t’ju raportojë. Edhe sikur të përsërisni fjalët e diktatorit, dikush mund të gënjejë për ju dhe t’ju denoncojë. Dhe pastaj, nëse votoni për të fortin, do të jeni konfuz. Por nuk ka përse, sepse për këtë gjë keni votuar.

Denoncimi bëhet një sjellje normale. Pa ligj dhe zgjedhje demokratike, denoncimi i të tjerëve i ndihmon njerëzit të ndihen të sigurt. Nën sundimin e një lideri të fortë, nuk mund t’u besoni kolegëve, miqve tuaj apo edhe familjes suaj. Frika politike jo vetëm që zë të gjithë hapësirën publike; por korrupton të gjitha marrëdhëniet private.

Shumë shpejt ajo konsumon mendimet tuaja. Nëse nuk mund të thoni atë që mendoni, do të  humbisni edhe gjurmët më të vogla të asaj që besonit dikur. Do të pushoni së qeni vetvetja. Nëse pësoni një atak në zemër dhe shkoni në spital, duhet të shqetësoheni nëse emri juaj është apo jo në listë. Kujdesi ndaj prindërve të moshuar është papritmas në rrezik. Sepse nuk është më i sigurt shtrati spitalor apo vendi në një shtëpinë e të moshuarve. Nëse tërhiqni vëmendjen e autoriteteve, të afërmit tuaj të moshuar do të flaken në rrugë.

Kështu nuk funksionon Amerika tani, por kështu funksionojnë gjithmonë regjimet autoritare.

Në fantazinë e pasjes në krye të një udhëheqësi autoritar, askush nuk mendon për fëmijët. Por frika rreth fëmijëve, është në fakt thelbi i pushtetit diktatorial. Edhe njerëzit më të guximshëm përmbahen nga nevoja për të mbrojtur fëmijët e tyre.

Prindërit e dinë që fëmijët mund të veçohen dhe të rrihen. Nëse prindërit kundërshtojnë udhëheqësin, fëmijët humbasin çdo shans për të shkuar në universitet ose e humbin punën e tyre. Shkollat degradojnë, pasi një diktator do vetëm mite që justifikojnë pushtetin e tij. Fëmijët mësojnë në shkollë të denoncojnë njëri-tjetrin. Çdo brez që vjen, duhet të jetë më i urtë dhe më i paditur se ai i mëparshmi. Kalimi i kohës me fëmijët e vegjël, i streson prindërit. Ose fëmijët tuaj përsërisin propagandën që mësojnë në shkollë, dhe ju thonë gjëra që ju e dini se janë të gabuara. Ose shqetësoheni se ata do të zbulojnë se çfarë është e drejtë dhe do të përfshihen në telashe.

Në një diktaturë, prindërit nuk u thonë më fëmijëve atë që mendojnë, pasi kanë frikë se fëmijët e tyre do ta përsërisin atë në mjedise publike. Dhe sapo prindërit nisin të mos flasin në shtëpi për atë që mendojnë vërtet, nuk mund të krijojnë më një familje ku anëtarët i zënë besë njëri-tjetrit.

Edhe prindërit që heqin dorë nga ndershmëria, duhet të kenë frikë se një ditë fëmijët e tyre do të mësojnë të vërtetën, do të ndërmarrin veprime kundër regjimit dhe do të burgosen.

Sapo nis ky proces, është i vështirë të ndalet. Në fazën aktuale të fantazisë mbi liderin e fortë, njerëzit imagjinojnë një eksperiment emocionues.

Edhe nëse në një moment mund të mos i pëlqejë sundimi i tij, mendojnë ata, mund të zgjedhin dikë tjetër në zgjedhjet ne ardhshme. Por këtu gabojnë rëndë. Sepse nëse ndihmon një udhëheqës autoritar të vijë në pushtet, atëherë je duke e eliminuar demokracinë. Pra po e djeg urën që sapo ke kaluar.

Zhduket fantazia mbi këtë lider dhe mbetet diktatura e vërtetë. Ka shumë gjasa që të mos vriteni apo t’ju kërkohet të vrisni të tjerët. Por në mesin e zymtësisë së jetës nën një diktaturë, rëndon jo pak përgjegjësia kolektive për vdekjen e të tjerëve.

Kur të nisin vrasjet, atëherë do të kuptoni se lideri që zgjodhët në krye, nuk ka të bëjë fare me unitetin, as me kombin, dhe as me kryerjen e gjërave. Të tradhtuar nga ju me votën tuaj, amerikanët më të mirë do të vriten për kënaqësinë dhe për pasurinë e një diktatori. Tragjedia juaj do të jetojë mjaftueshëm për ta kuptuar këtë.

Burimi: Kyiv Post/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Timothy Snyder është një historian amerikan


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë