Rend dhe Ligj

Falsifikonte formularë për hyrjen në Greqi, arrestohet 41-vjeçari nga Pogradeci

Policia ka arrestuar një 41-vjeçar, i cili falsifikonte formularët për hyrjen në Greqi të emigrantëve shqiptarë.

41-vjeçari Eduard Balliu këtë veprim nuk e kishte bërë thjesht një herë, por 33 herë.

Dyshimet kanë filluar në Pikën Kufitare të Kapshticës, por më pas rezultoi se Balliu mashtronte emigrantët duke u dhënë formularë falco në agjenci.

Ai përfitonte për çdo formular 1 mijë deri në 1 mijë e 500 lekë.

“Shërbimeve të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë verifikimit dhe kontrollit të dokumentacionit të 33 shtetasve shqiptarë dhe konkretisht të formularëve të hyrjes për në shtetin grek, iu kanë lindur dyshime se mund të ishin dokumente të falsifikuara.

Gjatë veprimeve të mëtejshme hetimore e proceduriale të kryera nga Seksioni për krimin ekonomik-financiar në DVP-Korçë, rezultoi se shtetasi E. B., nëpërmjet mashtrimit, iu kishte plotësuar formularët këtyre shtetasve në agjencinë e tij në qytetin e Pogradecit, duke përfituar për secilin prej tyre shumën nga 1000 deri në 1500 lekë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Mashtrimi, kryer më shumë se 1 herë” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë