Hetimi për klubin francez nga ICFC, organizata përgjegjëse për kontrollin financiar të klubeve, ishte mbyllur gjatë verës së këtij viti, por tani ka zhvillime të reja për këtë çështje
Edhe një herë prozhektorët e UEFA-s janë drejtuar mbi klubin e njohur francez të Paris Saint-Zhermen, që po hetohet për thyerje të rregullave të “Fair-play”-in financiar në rastet e blerjes së Nejmarit dhe Mbapesë vitin e kaluar për më shumë se 400 milionë euro. Tashmë PSG-ja duhet të kalojë “një provim të fundit” nga ana e UEFA-s dhe gjithçka është bërë e ditur nga e njëjta organizatë, nga ICFC, që merret me kontrollin financiar të klubeve. U duke se gjithçka ishte mbyllur gjatë verës, por jo.

UEFA e ka rihapur çështjen, duke saktësuar se tashmë do të bëjë një kontroll më të kujdesshëm për klubin francez, që do të thotë se gjithçka do të analizohet deri në detajin më të vogël. “Fair-play” financiar nuk i lejon klubet që marrin pjesë në kompeticionet evropiane të shpenzojnë më shumë se sa janë të ardhurat që ata gjenerojnë nga aktiviteti i tyre. PSG-ja realisht ka shpenzuar shumë gjatë verës së kaluar për të blerë dy lojtarët e përmendur më sipër. Fakti që çështja është rihapur do të thotë se klubi francez rrezikon të ketë sanksione.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.