Ne rrjet

Facebook e Twitter përgjigjen, Google shpërfill kongresin

Gjigantët amerikanë të teknologjisë do të raportojnë njëri pas tjetrit në Kongresin amerikan mbi përpjekjet dhe masat që kanë marrë për të parandaluar dhe bllokuar ndërhyrjet e paligjshme të brendshme dhe të huaja në zgjedhjet e mesmandatit, që do të mbahen në muajin nëntor.

Para senatorëve do të dalin drejtuesit më të lartë të Twitter dhe Facebook, por jo Google, që ka “sfiduar” ligjvënësit duke refuzuar që të dalë para tyre me një prej drejtuesve kryesorë.

BB thotë se senatorët kërkuan që në seancën dëgjimore të paraqitej njëri mes Sundar Pichait, drejtori ekzekutiv i Google, ose bosit të tij, Larry Page, drejtor ekzekutiv i Alphabet, kompania mëmë e Google.

Por, as i pari dhe as i dyti nuk kanë pranuar që të paraqiten përballje dhe kanë propozuar që përpara ligjvënësve të dalë Kent Walker, avokati kryesor i kompanisë.

Emri i Walker është refuzuar nga senatorët.

“Mesa duket do të kemi përballë një karrige bosh që do të përfaqësojë Google”, tha nënkryetari i Komitetit të Inteligjencës në Senatin amerikan, Mark Warner.

Megjithatë, senatorët mund të nisin procedurat që të thërrasin me forcë njërin prej dy drejtuesve kryesorë të kompanisë amerikane.

“Nëse Google mendon se ne thjesht do ta anashkalojmë këtë shpërfillje, me keqardhje e njoftoj se gabohen”, citohet Warner nga revista Wired.

Shumë media amerikane e kanë lidhur shpërfilljen që drejtuesit e Google i bëjnë Kongresit me akuzat e Donald Trump, që pak ditë më parë akuzoi kompaninë se censuron në motorin e saj të kërkimit lajmet që lëvdojnë punën e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Dëgjesat me kompanitë kryesore të teknologjisë së informacionit ka si temë ndikimin e operacioneve të koordinuara dhe me burim nga një shtet tjetër, që në këtë rast nënkuptohen lehtësisht Rusia, Kina apo Irani, në platformat e mediave sociale.

Facebook dhe Twitter nga ana tjetër kanë pranuar që të dalin para senatorëve. Themeluesi i rrjetit social më të madh në botë, Mark Zuckerber ishte në një seancë të ngjashme në muajin prill, atëherë kur shpërtheu skandali i “Cambridge Analytica”, por këtë herë do të dërgojë shefen operacionale, Sheryl Sandberg.

Emri i Sandberg është vlerësuar si i pranueshëm nga senatorët. Pjesë të qëndrimit që ajo do të mbajë para Komitetit të Inteligjencës janë bërë publike nga mediat amerikane. Në to thuhet se Sandberg do të paraqesë raportet dhe statistikat e llogarive dhe faqeve të mbyllura nga sistemi automatik i Facebook dhe do të prezantohet edhe e ashtuquajtur “Dhoma e Luftës”. Kjo “dhomë” është një sektor i ri i njoftuar pak ditë më parë nga Mark Zuckerberg, që përbëhet nga specialistë dhe njerëz të aftë të kuptojnë dhe bllokojnë faqet apo personat që përhapin lajme të rreme që kanë në shënjestër votuesit amerikanë.

Nga Twitter do të paraqitet Jack Dorsey, drejtori ekzekutiv i kompanisë. Ky i fundit pritet ta ketë më të vështirë përballjen, pasi së fundmi kjo platformë është vënë në qendër të disa kongresmenëve dhe senatorëve republikanë, por edhe nga administrata e Donald Trump për censurim të postimeve që promovojnë konservatorizmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë