Sport

Europiani i peshëngritjes, Krenar Shoraj me medalje bronzi

Ka ardhur medalja e radhës për Shqipërinë në kampionatin europian të peshëngritjes në Batumi të Gjeorgjisë. Pas Caljas dhe Qermajt, i radhës që ka ngritur lartë flamurin kuqezi është Krenar Shoraj. Peshëngritësi shqiptar ka marrë medaljen e bronzit në shtytje, duke ngritur me sukses, 195 kg.

Krenar Shoraj garoi në peshën 91kg, ku rivaliteti ishte shumë i fortë dhe rezultati i tij ishte mbi pritshmëritë. Në stilin e shkëputjes Shoraj u rendit në vendin e 8, duke ngritur 155 kg. Shtangisti kuqezi dështoi në dy provat e tjera për të ngritur 160 dhe 161 kg. Por rezultatin më të mirë Shoraj e arriti në shtytje, aty ku ai realizoi me sukses provën e parë, duke ngritur 195 kg. Më pas në dy provat e tjera nuk ia doli që të mbyllë me sukses, 200 dhe 201 kg, që do i garantonin medaljen e argjendtë në këtë kampionat europian në stlin e shtytjes. Në dy garësh Krenar Shoraj u rendit në vendin e 6-të që është gjithashtu një sukses më vetë për të, pasi arrin të marrë pikë të vlefshme për Lojërat Olimpike.

Pas Shorajt në pedanë pritet të ngjitet edhe një tjetër peshëngritës shqiptar që garon në peshat e rënda. Endri Karina që pretendon të futet në zonën e 5 më të mirëve do të garojë ditën e nesërme. Deri më tani 5 medaljet e marra nga Shqipëria mund të konsiderohen si një rezultat pozitiv edhe pse mund të ishte pritur diçka më shumë nga Daniel Godelli ditën e djeshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë