Analize

Europianët duan Merkelin në krye të Komisionit Europian

Edhe pse zgjati deri në orët e para të mëngjesit, samiti i 28 udhëheqësve të Bashkimit Europian ka përfunduar pa marrëveshje mbi zgjedhjen e presidentit të ri të Komisionit Europian

Ai që ishte përfolur si kandidatura kryesore, Manfred Weber, u hodh poshtë gjatë bisedimeve të mbajtura në Bruksel. Megjithatë sinjalet nga mediat europiane tregojnë se emri i kancelares Angela Merkel ka dalë sërish si kandidatja më e mirë për udhëheqjen e ekzekutivit të BE-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se asnjë nga tre kandidatët kryesorë për presidencën e Komisionit Europian nuk mori mbështetjen të mjaftueshme midis udhëheqësve të Bashkimit Europian në Bruksel.

"Të tre emrat u prezantuan nga Kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk, i cili arriti në përfundimin se udhëheqësit nuk kishin arritur shumicën për asnjë nga këto tre emra," u tha ai gazetarëve

Macron duket se bërë fushatë për të bllokuar kandidatin e kancelares gjermane, Manfred Weber, nënkryetarin e partisë së saj CSU-së, i cili ishte zgjedhur nga konservatorët e PPE-së si kandidati i tyre për të drejtuar Komisionin.

Emmanuel Macron; Pedro Sánchez; Angela Merkel dhe Donald Tusk

"Ishte mëse e qartë se në Këshill nuk kishte shumicë për zotin Weber," tha Macron. "Ky hap ishte i nevojshëm duke marrë parasysh nivelin e tensionit në të cilin kishim arritur për shkak të këtij obsesioni të një organizate partiake që nuk përputhej me realitetin demokratik të Europës", shtoi ai.

I pyetur nëse ka pasur tension midis Francës dhe Gjermanisë lidhur me procesin e emërimit, Macron tha se :"Nuk kam asgjë kundër një kandidature gjermane, e thashë dhe nuk ishte shaka, nëse kancelarja do të ishte kandidate do ta kisha mbështetur, sepse mendoj se ajo ka cilësitë, aftësitë për të qenë një presidente shumë e mirë e Komisionit ".

"Nuk kjo është ajo që ajo dëshiron, e respektoj dhe do ta mbështes", shtoi Macron. “Nuk kam dyshime se Merkel mund të jetë "një presidente shumë e mirë”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, nga ana e saj, tha se krerët e BE-së mund të provokonin një krizë të madhe politike nëse nuk merrnin parasysh pikëpamjet e Parlamentit Europian kur zgjedhin kreun tjetër të ekzekutivit të BE-së.

"Ne e sugjeruan një kandidat, por nuk kemi nevojë të shohim një krizë me Parlamentin Europian, për të kuptuar se ajo që ne sugjerojmë nuk është pranuar. Kjo nuk do të ishte mirë për punën e Komisionit në pesë vitet e ardhshme," u tha ajo gazetarëve.

Presidenti francez, Emannuel Macron

Merkel theksoi se vendet e BE-së duhet të arrinin një marrëveshje për postet më të larta të Bashkimit Europina përpara se Parlamenti i ri të mblidhej për herë të parë më 2 korrik.

Kancelarja gjermane ka thënë se do të tërhiqet nga politika kur në fund të mandatit të katërt në vitin 2021. Por shumë udhëheqës europianë shpresojnë se ajo do të mos tërhiqet totalisht nga skena politike, duke marrë parasysh përvojën dhe angazhimin e saj të gjerë në BE. Macron deklaroi në një intervistë me televizionin “RTS” një javë më parë se Merkel është presidentja e re që i duhet Europës.

"Sigurisht që do ta mbështesja sepse së pari mendoj se kemi nevojë për një njeri të fortë. Europa ka nevojë për figura të forta dhe të qëndrueshme", u shpreh ai.

Macron dhe Tusk janë midis atyre që kërkojnë që kanë këmbëngulur publikisht që Merkel të behët shefja e re e Komisionit. Por edhe kreu aktual i ekzekutivit të BE-së, Jean Claude Juncker, i cili do të lërë postin më 31 tetor, deklaroi se nëse Merkel do të ndryshonte mendje do të ishte kandidatja perfekte për të udhëhequr postet më të larta të BE-së.

Sipas rregullave, Këshilli Europian emëron Presidentin e ri të Komisionit dhe më pas parlamenti i ri prej 751 anëtarësh ratifikon zgjedhjen e tyre. Por procedura, megjithëse duket e drejtpërdrejtë, bëhet edhe më e ndërlikuar mes një luftë komplekse pushteti midis shteteve rivale dhe blloqeve ideologjike dhe midis udhëheqësve dhe parlamentit vetë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel

Tetë nga 28 krerët e BE-së vijnë nga partitë e PPE-së, por kryeministri hungarez Viktor Orban është përjashtuar dhe kancelari austriak Sebastian Kurz u shkarkua të hënën. Parlamenti austriak hodhi poshtë qeverinë e Kurz me anë të një mocioni mosbesimi ndaj 32-vjeçarit dhe gjithë qeverisë së tij.

Përveç, Weber, ish-ministri holandez, Frans Timmermans, politikan më shumë përvojë ekzekutive ka marrë tanimë mbështetjen e S & D dhe ALDE.

Një tjetër emër i mundshëm është komisionerja daneze, Margrethe Vestager, e cila ka marrë tanimë mbështetjen e presidentit francez Emmanuel Macron. Ndërkohë kancelarja gjermane Angela Merkel është e patundur në mbështetjen e saj për Weber.

Por, sipas një zyrtari të lartë europian, nëse vjen një përplasje franko-gjermane, për të shmangur një krizë të mundshme, udhëheqësit mund të zgjedhin Timmermans, si një kandidat kompromisi.

Tre grupet e mëdha janë të bashkuar përballë euroskeptikëve të ekstremit të djathtë, por ka sinjale se të Gjelbrit, ALDE dhe S & D nuk preferojnë një kandidat që vjen nga radhët e PPE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë