Njerez

68 fëmijë të huaj të zhdukur në Shqipëri në 4 vjet, Hazizaj: Autoritetet s’kanë dijeni çfarë ka ndodhur me ta

Nga Gazeta Si- Gjatë viteve 2019-2022 në Shqipëri janë identifikuar 68 fëmijë të huaj të pashoqëruar ndërkohë që të gjithë këta fëmijë sot rezultojnë të zhdukur.

Në raportin “Të zhdukur në drejtim të paditur”, CRCA bën të ditur se këta fëmijë e kanë kaluar kufirin shqiptar në mënyrë jo të rregullt.

CRCA Shqipëri gjatë periudhës Prill-Qershor 2023 realizoi një mision fakt-mbledhës në disa qarqe të vendit.

“U intervistuan zyrtarët publikë nga institucionet përgjegjëse për fëmijët e huaj të pashoqëruar, si nga policia e shtetit, institucionet qendrore dhe vendore në mbrojtje të fëmijëve, ashtu edhe nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve. Në të njëjtën kohë ekipi ynë ka qenë në kontakt me autoritetet e Malit të Zi dhe Kosovës po në lidhje me këtë çështje. Si gjatë vizitave tona ashtu edhe nga intervistat e realizuara, rezulton se Shqipëria, pavarësisht përpjekjeve, nuk ka ndërtuar një sistem të sigurt, të aftë dhe funksional që do të bënte të mundur Mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijët e huaj të pashoqëruar”, thotë Altin Hazizaj, drejtor i CRCA.

Nga të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit, rezulton se gjatë periudhës 2019-2022, autoritete ligj-zbatuese kanë arritur të identifikojë 68 fëmijë të huaj të pashoqëruar, të cilët kanë kaluar kufirin shqiptar në mënyrë jo të rregullt. Të gjithë këta fëmijë sot rezultojnë të zhdukur dhe asnjë zyrtar publik nuk ka informacion se ku janë këta fëmijë. Sipas Raportit, si në aspektin ligjor, ashtu edhe atë organizativ, përpjeket e ndërmarra deri më tani nga autoritetet përgjegjëse, rezulton të jenë në mos-përputhje ose në shkelje të hapur të legjislacionit vendas si dhe të VKM 111/2019. Ndonëse ligji për të drejtat e fëmijës, ligji për të huajt dhe VKM 111/2019 përcaktojnë qartazi detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, thuajse në të gjitha rastet e fëmijëve të huaj të pashoqëruar nuk janë ndjekur procedurat ligjore të kërkuara.

“Fëmijët e huaj të pashoqëruar, në kundërshtim me ligjin, nuk janë vendosur në një mjedis të sigurt në Bashkinë ku ata identifikohen (Gjirokastër dhe Devoll thuajse në të gjitha rastet), nuk ju është caktuar kujdestari ligjor dhe nuk ju janë ofruar shërbimet e garantuara nga ligji. Në kundërshtim me kërkesat e VKM 111/2019, të gjithë fëmijët janë shoqëruar për në Tiranë dhe janë lënë nën kujdesin e një Qendër Emergjence që drejtohet nga një organizatë joqeveritare, që nga intervistat me zyrtarët publikë rezulton se nuk është e autorizuar sipas legjislacionit shqiptar nga autoritetet vendase për të ofruar kujdes, siguri dhe mbrojtje për fëmijët e huaj të pashoqëruar”, shkruhet në raportin e CRCA. “Pyetjes tonë se kush e ka autorizuar vendosjen e fëmijëve të huaj të pashoqëruar në një mjedis privat, që nuk përmbush standardet e kërkuara të sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve të huaj të pashoqëruar, autoritetet kombëtare dhe ato vendore nuk i dhanë përgjigje”, thotë Hazizaj.

Sipas të dhënave të mbledhura, rezulton se gjatë periudhës 2019-2022, mbi 2000 fëmijë të huaj të shoqëruar dhe të pashoqëruar janë evidentuar nga autoritetet ligjzbatuese, shumica e tyre nga vende në konflikt, si Siria, Afghanistan, Irak, Iran, Palestinë etj.

Ligji kërkon që fëmijët e huaj të pashoqëruar të merren në mbrojtje nga autoritetet vendore ku ata hyjnë, në koordinim me Agjensinë shtetërore për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Në çdo rast, nëse fëmija nuk bën kërkesë për azil në Shqipëri, dhe “nga intervistat rezulton që shumicës së fëmijëve as ju është ofruar dhe as e kanë kërkuar azilin”, autoritetet duhet të kujdesen për sigurinë, arsimin, mbrojtjen shoqërore etj., derisa të vendoset nëse fëmija do të qëndrojë në Shqipëri apo do të kthehet pranë familjes.

“Nga intervistat, ekipit të CRCA Shqipëri iu bë e qartë se kjo procedurë nuk është zbatuar asnjëherë”, thotë Hazizaj.

Gjithashtu, sipas raportit, rezulton se fëmijët e huaj të pashoqëruar, ndërkohë që duhet të ishin vendosur në një institucion të përkujdesit shoqëror (jetimore ose qendra të specializuara për kujdesin ndaj tyre), t’ju ishte caktuar një kujdestar ligjor nga Gjykata dhe t’ju ishte miratuar plani individual i mbrojtjes (PIM), në të vërtetë nuk kanë gëzuar asnjë nga këto të drejta që ju garanton ligji.

“Nuk ka asnjë të dhënë apo informacion zyrtar se çfarë ndodh me fëmijët e huaj të pashoqëruar pas vendosjes së tyre në Tiranë. Disa profesionistë besojnë se fëmijët janë zhvendosur drejt Malit të Zi dhe Kosovës, por kjo do të thotë se autoritetet në mënyrë të heshtur e kanë pranuar se ekziston një rrjet i mirë-organizuar i trafikantëve të fëmijëve brenda Shqipërisë, një e dhënë që mungon në raportet shtetërore mbi trafikimin e brendshëm të fëmijëve. Sidoqoftë, zyrtarisht përtej denoncimit të bërë nga ana e organizatës mbi zhdukjen e fëmijëve, autoritetet policore nuk kanë deklaruar humbjen e fëmijëve të huaj të pashoqëruar apo shpalljen e tyre në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar, sipas kërkesave të ligjit.

Kemi të bëjmë me një krim të organizuar që ka shtrirë kontrollin e tij tek të gjithë fëmijët e huaj të pashoqëruar që hyjnë në Shqipëri. Të gjithë këto fëmijë janë të rrezikuar nga trafikimi për qëllime të shfrytëzimit seksual, për skllavëri, marrjen e paligjshme të organeve apo edhe akte të terrorrizmit”, thotë Hazizaj.

Policia e Shtetit raportoi për CRCA se po gjatë të njëjtës periudhë janë ndaluar apo arrestuar 1127 shtetas shqiptarë dhe të huaj për trafikim të qenieve njerëzore, shumica e tyre janë ndjekur dhe gjykuar në gjendje të lirë.

Shqipëria është shtet-palë i Konventës për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së që prej vitit 1992. Në këtë kuadër Shqipëria e ka për detyrë që të ndërtojë një sistem të kujdesit dhe trajtimit të fëmijëve të huaj të pashoqëruar sipas rekomandimeve të Komentit të Përgjithshëm Nr. 6 (2005) të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës në Gjenevë, “Për trajtimin e Fëmijëve të ndarë apo të pashoqëruar që ndodhen jashtë vendit të tyre të origjinës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë