Pas Ligës së Kampionëve, këtë të enjte është radha për kupën e vogël europiane. Do të jenë plot 24 ndeshje të vlefshme për raundin e katër të Europa League. Sfidat janë të ndara në dy orare, në 18:55 dhe 21:00, por përballje interesante do të ketë si pasdite ashtu edhe në mbrëmje. Milan, Arsenal, Lacio, Çelsi, Sevilja apo Bajern Leverkusen do të jenë vetëm disa nga ekipet që këtë të enjte do të kërkojnë fitoret për të mbyllur çështjen e kalimit të grupit dhe mos ta lënë për në ndeshjet e fundit.
Nga sfidat që do të luhen në orarin e pasdites, si më e forta mund të veçohet ajo e “Olimpico”. Lacio pret francezët e Marsejës në një ndeshje që do të përcaktojë ekipin që do të pasojë Eintrakt Frankurt në grupin H. Por gjithashtu edhe ndeshja që do të luhet në Stamboll mes Fenerbace dhe Anderleht. Truqit do të kërkojnë tre pikët për të mbyllur çështjen e kualifikimit edhe pse të njëjtën gjë do të kërkojnë edhe belgët.
Londinezët e Çelsit do të udhëtojnë drejt Bjellorusisë për të luajtur me Bate Borisov. Sfida shihet si një formalitet për ekipin e Mauricio Sarrit që ka fituar 9 pikë në ndeshjet e para dhe këtë herë do të mbyllë kualifikimin me triumfin e radhës. Një ndeshje për mos t’u humbur parashikohet të jetë edhe Rapid Vjena kundër Vilareal.
Tabela e ndeshjeve të orës 18:00:

Ndërkohë në mbrëmje do të ketë gjithashtu shumë ndeshje të forta, ku pritet të ketë më shumë gola.
Arsenali pret në “Emirates” Sportingun, në një ndeshje që do të vendos kryesuesin e grupit. Skuadra e Emery ka një seri ndeshjesh që vetëm fiton, por edhe portugezët janë në formë të mirë dhe në këtë sfidë kthimi do të kërkojnë të hakmerren për humbjen e para dy javëve.
Hakmarrje do të kërkojë edhe Milan ndaj Betis. Spanjollët morën një fitore surprizë në San Siro dy javë më parë dhe këtë herë do të ishin të kënaqur edhe më një barazim, pasi pozitat i kanë të konsoliduara dhe janë shumë pranë kualifikimit. Milan nga ana tjetër me një humbje dhe dy fitore në këtë ndeshje të katërt i duhen tre pikët me çdo kusht për të evituar çdo problem të mundshëm që mund të shfaqet.
Gjermanët e Bajern Leverkusen do të presin në shtëpi zviceranët e Zyrih. Për ta mbyllur që në këtë raund të katërt çështjen e kualifikimit për më tej, skuadra gjermane do të kërkojë tre pikët.
Tabela e të gjitha ndeshjeve që luhen në orën 21:00

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.