Para

Miratohet eurobondi 650 mln euro, Rama: Rezultat spektakolar

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria ka marrë sot miratimin nga tregjet e kapitaleve pas daljes në Eurobond në kërkim të financimit të ekonomisë post- covid. Kreu i qeverisë thotë se përgjigjia e mekanizmave ndërkombëtarë ka qenë ekzaktësisht ‘’besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj;;.

  Në postimin e tij në rrjetet sociale, kryeministri sulmon edhe opozitën që sipas tij nuk dinë t'i gëzohen asnjë të mire të këtij vendi.

"Analistët e shifrave që nuk i kuptojnë dhe opozitarët e aritmetikës që nuk e zotërojnë, le ta shohin rezultatin e sapo arritur të Shqipërisë në tregjet e kapitaleve, ku përgjigja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj", deklaroi ai. "Dhe natyrisht, kur një vend arrin këtë rezultat spektakolar në një kohë kaq të vështirë dhe megjithë vajtojcat që e qajnë dhe shajnë përditë, nuk ka se si të mos jesh krenar si kryetar i qeverisë, për librin e llogarive të shtetit që merr një vlerësim kaq spektakolar nga tregjet!"

Po ashtu kryeministri ftoi të gjithë kritikët që të krahasojnë përgjigjet dhe me vendet e tjera për Eurobond, duke ironizuar edhe kreun e PD, Lulzim Basha, se me aritmetikën 7×7=42 Shqipëria prap e fundit del.

Në datë 4 qershor Kuvendi miratoi ligjin për daljen në tregjet ndërkombëtare për eurobondin, ndërsa pas komunikimit me Presidentin Meta, ky i fundit e dekretoi menjëherë.

650 milionë euro është vlera që vendi ynë kërkon në tregjet ndërkombëtare në formën e eurobondit, 250 milionë euro për të financuar Eurobondin e marrë në vitin 2015, që ishte në vlerën e 450 milionë euro me normë interesi 5.75% dhe që i mbaron afati i shlyerjes në 12 nëntor 2020, ndërsa pjesa tjetër për tërmetin që goditi Shqipërinë vitin e kaluar dhe shpenzimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë