Nga Gazeta Si - Shqipëria, sikurse dhe Europa e rajoni po gjendet në këtë sezon vere, jo vetëm në pushtetin e të nxehtit, por dhe të Etheve të Nilit.
Raportimet më të fundit nga Qendra Spitalore ‘Nënë Tereza’ në Tiranë tregojnë për 39 raste të shtruara me simptomat e Etheve të Nilit.
Burime konfidenciale nga QSUT thanë për ‘Gazeta Si’ se rastet e shtruara paraqesin simptoma të rënda por jo në rrezik për jetën.
“Ajo çka vihet re është shtrirja gjeografike e rasteve të zyrtarizuara me Ethet e Nilit. Lushnja, Fieri e Berati raportojnë më shumë raste, por së fundmi kemi konstatuar 1 rast në Tiranë, Durrës, Shkodër. Pra s’mund të themi më, që Ethet e Nilit i përkasin vetëm pellgut të Myzeqesë’, thonë burimet për “Gazeta Si”.
Aktualisht, në Shqipëri sipas raportimeve zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik janë 3 viktima prej etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa numri i të prekurve mund të jetë më i madh se cfarë deklarohet zyrtarisht.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se arsyeja është pasi 80% e rasteve me Ethet e Nilit janë asimptomatikë ndërsa vetëm 20 % e tyre paraqesin komplikacione të rënda, kryesisht mosha mbi 65 vjeç, të cilët paraqesin dhe sëmundje bashkëshoqëruese.
Si transmetohet infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?
Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar.
Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit.
Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës që pavaresisht se ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin.
Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor apo nëpërmjet mushkonjave, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit.
Çfarë shenjash ka infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?
Shenjat kryesore janë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.
Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose paraliza flakside akute) përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paralizë.dhe shfaqen vetem ne 1% te personave te infektuar.
Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen te njerëzit e çdo moshe, por personat mbi moshën 60 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuar. Periudha e inkubacionit është zakonisht 3 ditë deri në 14 ditë.
Virusi i Nilit Perëndimor mund të diagnostikohet me një sërë testesh duke analizuar lëngun e trunoshpinor, urinën, gjakun apo mostrat e serumit të marra nga pacientët e infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor, në periudhën kur paraqesin shenja klinike.
Për sëmundjen e Etheve të Nilit Perëndimor nuk ka trajtim specifik për pacientët me sëmundjen që prek sistemin nervor. Trajtimi është vetëm mbështetës dhe simptomatik.
Në mungesë të një vaksine, e vetmja mënyrë për të zvogëluar infektimin e njerëzve është rritja e ndërgjegjësimit mbi faktorët e rrezikut, dhe edukimi i njerëzve për masat që duhet të ndërmarrin për të zvogëluar ekspozimin ndaj virusit.
Parandalimi efektiv i infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor te njeriu varet nga programet e kontrollit të integruar të mushkonjave në zonat ku ndeshet virusi.
Punonjësit e kujdesit shëndetësor që kujdesen për pacientët që dyshohet ose që konfirmohet se kanë infeksion të virusit të Nilit Perëndimor, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat e pergjithshmetë kontrollit të infeksionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.