Shendet

A kanë ekzistuar ‘Ethet e Nilit’ në Shqipëri?  Rritja e rasteve në 1 muaj është dyshuese… dhe pyetjet që ngrihen për institucionet shëndetësore

Nga Gazeta Si - Afërsisht një muaj më parë, Instituti i Shëndetit Publik iu përgjigj kërkesës për informacion të Gazeta Si në lidhje me situatën epidemiologjike në vend, ku raportohej për prezencë të dy llojeve të rrezikshme të mushkonjave, mushkonja Tigër dhe Culex pipiens, që transmeton virusin e Nilit.

Dje (E hënë 5 gusht), ISHP deklaroi se rikthehet pas 13 vitesh në Shqipëri virusi i Nilit me mbi 70 raste të prekura dhe 3 viktima.

Ndërkohë, fakt është që në QSUT afërsisht prej një muaji ka raste të shumta të shtruara në spitalin infektiv, të diagnostikuar si encefalite virale dhe bakteriale por sidomos virale dhe ajo që bie në sy është fakti se këta pacientë vinin nga zona Fier, Lushnje dhe më pak nga Berati.

Nisur nga këto të dhëna lind natyrshëm pyetja: A u investiguan këto raste? A janë paraqitur si encefalite meningite apo u investigua dhe u pa që janë virusi i Nilit?

Nëse nuk janë investiguar, shifrat mund të jenë më të larta dhe situata mund të bëhet kritike nëse nuk merren masa.

Burime konfidenciale i thanë Gazeta Si, se ekziston hipoteza se virusi i Nilit ka qenë prezent më herët në Shqipëri, por mungesa e investigimit të rasteve ka rënduar situatën.

Po pse u ngut ISHP të deklarojë dje rastet e reja me ethet e Nilit dhe jo një muaj më parë?

Burimet konfidenciale pohojnë për Gazeta Si se ka qenë Greqia që ka ngritur alarmin për prezencën e virusit të Nilit në Shqipëri, pasi një emigrant shqiptar i sapokthyer nga Shqipëria u hospitalizua me simptomat e etheve të Nilit.

Nisur nga kjo lind pyetja: A bën ISHP ndjekje të rasteve të dyshuara, teksa numri i të prekurve është në rritje?

Shqipëria ka patur ndër vite qarkullim të mushkonjës ‘Culex pipiens’ që transmeton virusin e ‘Etheve të Nilit Perëndimor’, madje dhe raste të virusit të Nilit Perëndimor, por pacientët e prekur ishin ose të huaj që vinin të infektuar nga vendet e tyre, ose shqiptarë që kishin udhëtuar në vendet e njohura për prezencën e këtij virusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë