Nga Gazeta ‘Si’- Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve që furnizojnë zonat turistike mund të aplikojnë në të ardhmen tarifa me blloqe për ujin, me synim uljen e konsumit të lartë gjatë sezonit veror.
Propozimi u bë nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) gjatë raportimit në Kuvend për zbatimin e rekomandimeve të Rezolutës së vitit 2025 dhe komentet mbi projekt-rezolutën e vitit 2026.
Sipas ERRU-së, në zonat me fluks të lartë turistik nuk duhet të fokusohet vëmendja vetëm te instalimi i ujëmatësve, por edhe te përdorimi i tarifimit me blloqe për të nxitur kursimin e ujit.
Ky sistem parashikon që konsumi bazë të tarifohet me një çmim normal, ndërsa për sasitë që tejkalojnë një prag të caktuar të aplikohet një tarifë më e lartë. Qëllimi është të kufizohet konsumi i tepërt, sidomos në zonat turistike dhe për bizneset me përdorim të lartë të ujit.
Nëse rekomandimi miratohet dhe zbatohet nga shoqëritë rajonale të ujësjellës-kanalizimeve, skema pritet të prekë kryesisht konsumatorët jofamiljarë, si hotelet, resortet, restorantet dhe bizneset e tjera të turizmit.
ERRU sqaron se ky është vetëm një propozim i paraqitur në kuadër të projekt-rezolutës për vitin 2026 dhe nuk nënkupton vendosjen e menjëhershme të tarifave të reja për ujin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje