Menaxhim

ERRU: Paradoksale që ujësjellësit me më pak ujë mbulojnë furnizim 24/7

Enti Rregullator i Ujit ka kritikuar ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve për mënyrën se si menaxhojnë investimet. Enti quan paradoksale faktin që ujësjellësit kanë sasinë më të vogël të ujit për banor në fakt kanë arritur të bëjnë furnizim 24 orë për 7 ditë të javës.

“Sasia e ujit e prodhuar (litra/ditë, banor) përgjithësisht është e mjaftueshme për një furnizim normal me ujë të konsumatorëve. Paradoksalisht shoqëritë që kanë një regjim furnizimi me ujë të popullsisë 24/7 (Korça dhe Pogradeci) kane sasinë më të vogël të prodhimit të ujit për banor se sa shoqëritë e tjera që furnizojnë me ujë me regjim të kufizuar. Kjo do të thotë që këto të fundit duhet patjetër të përmirësojnë menaxhimin si dhe të rrisin përpjekjet për realizimin e nevojave për investime fizike në sisteme”,- thuhet në raportin që Komisioni i Entit kaloi për miratim.

Këshillat janë dhënë për ujësjellësit që i takojnë grupit të parë të shoqërive dhe ku klasifikohen ato me mbi 15 mijë lidhje ujësjellje.

Enti vlerëson se përmirësimi i cilësisë së shërbimit, lidhur me kohëzgjatjen e furnizimit me ujë 24/7 në këto shoqëri, nuk duhet të bazohet në rritjen e volumit të prodhuar, por me reduktimin e humbjeve totale.

“Trendi në përmirësim i nivelit të matjes për ujin e prodhuar, vërehet në disa prej shoqërive UK. Mungesa e matëseve në prodhim dhe mos zëvendësimi i tyre në rast defektesh vërehet pothuaj në gjysmën e shoqërive të grupit të pare”-vlerëson ERRU.

Enti nënvizon se krahasuar me të dhënat e tre viteve të fundit, variabëli “Ujë i Prodhuar” është rritur me 39 milion m3 ndërkohë që niveli i matjes është pothuaj i njëjti. Shoqëritë duhet të tregojnë kujdes që prodhimi vjetor të bazohet në kërkesën për ujë të parashikuar në planin e biznesit të hartuar prej tyre. Gjithashtu vërehet se shoqëritë nuk zëvendësojnë në kohën e duhur matësit që dalin nga puna me justifikimin e pamundësisë financiare.

Aktualisht ujësjellësit e kësaj kategorie ofrojnë furnizim me ujë për 83% të popullsisë së tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë