Futboll

Eros Grezda shumë pranë kalimit te gjigandi europian

Eros Grezda është një nga talentet në gjirin e kombëtares shqiptare. Futbollisti me origjinë gjakovare është formuar në Kroaci dhe ka qenë pjesë e disa prej ekipeve më të mira në vendin dalmat.

Por pas disa viteve në nivele të kënaqshme në Kroaci, për Grezdën ka ardhur koha për të bërë hapin e madh. Mediet kroate ditën e hënë të mbështetura edhe nga ato angleze shkruanin se talenti kuq e zi është shumë pranë kalimit të klubi i madh skocez, Glasgou Rangers. Sulmuesi 23-vjeçar është në objektivin e klubit skocez, që për të marrë gjakovarin është e gatshme të paguaj 2.6 milionë euro në arkat e klubit kroat Osijek.

Eros Grezda gjatë një ndeshje me Osijek.

Nuk janë bërë publike shumë detaje nga oferta e Rangers për Grezdën, por ajo që jepet e sigurt është fakti, se tekniku i skocezëve Gerrard e kërkon më ngulm. Për trajnerin Stiven Gerrard, Eros Grezda shikohet si zëvendësuesi ideal i të larguarit Jamie Murphy. Mediet angleze shkruajnë se në përballjen për eliminatoret e Europa League, Rangers ka vendosur kontaktet e para për ta marrë sulmuesin shqiptar. Edhe pse 23-vjeçari ishte i dëmtuar dhe nuk zbriti në fushë, drejtuesit e Rangers u bindën për ta marrë, pasi ai u rikuperua vetëm disa ditë më parë.

Grezda në gjurmët e Rudi Vatës

Rudi Vata kur luante me Sëlltik

Nëse do të kompletohej transferimi i Eros Grezdës te Rangers, ai do të bëhej lojtari i dytë shqiptar që luan në kampionatin skocez. Më herët për rivalët e përjetshëm të Rangers, Sëlltik ka luajtur mbrojtësi Rudi Vata. Mbrojtësi shkodran bëri epokë te Sëlltik, duke kaluar periudhën më të lavdishme të karrierës së tij. Me këtë lajm që po qarkullon orët e fundit të gjithë tifozët shqiptare janë duke shpresuar që edhe Grezda ta bëjë hapin e madh në karriërën e tij, duke iu bashkuar futbollistëve kuq e zinj që luajnë në nivele të larta në Europë. Grezda do të ketë një tjetër privilegj shumë të madh nëse kalon te skocezët. Trajneri i Rangers është një legjendë e futbollit botëror, si Stiven Gerrard, kështu që futbollisti shqiptar do të ketë çfarë të mësojë nga një njeri, të cilit pak trofe i mungojnë në palmaresin e tij.

Koha për t’u bërë protagonist në kombëtare!

Eros Grezda gjatë një ndeshje me ekipin kombëtar

23 vjeç, Eros Grezda tashmë është në moshën e duhur për të marrë një rol protagonisti edhe në kombëtaren shqiptare. Sulmuesi nga Gjakova mbulon fashat e sulmit, aty ku ekipi ynë kombëtar ka më shumë nevojë dhe është në kërkim të elementëve që mund të bëjnë diferencën. Me dëmtimin e Roshit, Grezda besohet se do e marrë fanellën e sulmuesit titullar për mos ta lëshuar më. Rivalët e 23-vjeçarit nuk janë në formën e tyre më të mirë, duke filluar që nga Latifi, Abazaj, Roshi apo edhe të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë