Muzike

Ermonela Jaho: Shpirti im është i zhveshur kur këndoj

Si një fëmijë i rritur pas Perdes së Hekurt, pikëtakimi i sopranos shqiptare me operan ishte i kufizuar. Por, kur ishte 13 vjeç, i vëllai e mori me vete të shihte “La Traviata” dhe shpirti i saj nisi të fluturojë. “Gjithçka ishte aq e mbyllur në vendin komunist saqë duhej të ndërtoje një botë brenda vetes” , më thotë. “Kur dëgjoja muzikë kuptoja se mund të udhëtoja me mendje. Nisatë shoh mundësi të reja.”
Në fakt, roli i kurtizanes Violetta, në “La Traviata” ka qenë një prani e qëndrueshme në karrierën e Jahos. E ka kënduar këtë pjesë në çdo cep të botës, duke u krahasuar me Maria Callas gjatë rrugës dhe do të kthehet në Covent Garden për ta interpretuar, në fillim të vitit të ardhshëm.

Ermonela Jaho si Valentina performon gjatë provave për “Les Huguenots” nga Giacomo Meyerbeer, në Operan e Bastijës, Paris. Ermonela Jaho është quajtur si sopranoja më e vlerësuar në botë.

Lëvdatat për Jahon, tashmë 44 vjeç, gjithnjë ndihen po aq të thella sa edhe performancat e saj. The Economist e ka përshkruar atë si “sopranoja më e vlerësuar e botës” dhe mjeshtëria e saj teknike – dëshmuar me zërin e pasur dhe kumbues – e ka bërë të parezistueshme për pjesën më të madhe të kritikëve. Është edhe pasioni i saj i dukshëm që, thotë ajo, shkon dorë për dore me muzikën. “Çdo notë, çdo tingull që lëshoj është si një copëz emocioni nga zemra. Është sikur, shpirti im të ishte i zhveshur kur këndoj dhe nuk mundem ta fsheh. Është ekspozuese, por edhe terapi në një mënyrë.” Fjalët “zemër” dhe “shpirt” dalin shpesh në bisedën e Jahos dhe ajo thotë se ka një melankoli të ngulitur thellë. Pjesërisht kjo rrjedh nga marrëdhënia e ndërlikuar me nënën e saj të ndjerë, e cila pati ambicie të parealizuara për t’u bërë këngëtare operistike.

Jaho duke interpretuar Violetta-n në operan "La Traviata"

“Ajo ishte një grua jashtëzakonisht e fortë, por mund të shihja gjithnjë dhimbjen dhe pendesën në sytë e saj”, thotë ajo. “Ajo ishte e lumtur për mua, por nuk pati kurrë guximin të më shihte në skenë”. Jaho i shkroi, duke e pyetur përse, por ajo vdiq përpara se letra t’i dërgohej. Këngëtarja thotë se jeta nën komunizëm pati ndikim në natyrën e saj “të ndjeshme”. “Kur je fëmijë, je i destinuar të shohësh gjërat e bukura, jeta paramendohet të jetë plot me flutura”, thotë ajo, “Kam parë realitete që nuk do të kisha dashur t’i shihja dhe më ka bërë të palumtur. Por tani mendoj se mund të kenë qenë për më të mirën. Secila përvojë dramatike ka ndihmuar artin tim.” Në moshën 19 –vjeçare, pasi fitoi një konkurs në Shqipëri, u nis për studime në Itali, fillimisht në Mantova e më pas në Romë, duke fituar një sërë konkursesh dhe duke ndërtuar një repertor të pasur me Verdi dhe Puccini. Që nga fillimi, e dinte se duhet të gjente zërin e saj, në interpretime – Violetta, padyshim, por gjithashtu Manon, Mimi dhe Suor Angelica.


“Kisha shumë frikë kur e nisa,  sepse kritikët, gjithnjë, të krahasojnë me dikë tjetër. Me ta kuptuar se ishte çështje shijesh dhe se jo të gjithë do të të pëlqejnë, fitova vetëbesim. E dija se duhet t’i jepja audiencës diçka njerëzore. Kjo është ajo ç’ka duan. Nuk mendoj se publiku dëshiron perfeksionin.” Sot, Jaho është në Royal Festival Hall, duke interpretuar në operan e parë të Puccini-it, melodramën e mbinatyrshme “Le villi”, në formën e saj origjinale me një akt, performuar me Orkestrën Filarmonike të Londrës. Jaho thotë se,  në disa aspekte, është një vepër e papjekur. “Mund të shohësh se Puccini ende po përpiqet të gjejë rrugën e tij, por mund të shohësh gjithashtu se ç’do të bëhej ai – rrugën në të cilën ai nuk lundron rreth ndjenjave të veta, rrugën në të cilën ai e pret shkurt drejt emocionit.”

Ermonela Jaho,si  Cio-Cio San,  opera "Madama Butterfly" nga  Giacomo Puccini,.

Siç është e zakonshme, kalendari i Jahos është plot deri më 2022-shin dhe përfshin role kryesorë në “Anna Bolena” e Donizzetti-t vitin që vjen, në Operan e Sidnejt. Kur nuk punon, Jaho jeton në Nju Jork me të shoqin, Ervin Stafën. “Është e vështirë sepse jemi vazhdimisht në udhëtim, por dashuria jonë për njëri-tjetrin është aq e thellë, sa nuk do t’ia dijë.” Hesht për një çast. “Dhe e di se e gjitha kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë.”
E pyes nëse shqetësohet rreth moshës që ikën, rreth mundësive që bien në rolet kryesore. “Shqetësohem shumë dhe me vjen turp ta them. E di që tingëllon si egoiste, por nuk dua që kjo të ndalet. Kur interpretova Antonian në “Les contes d’Hoffmann”, kohëve të fundit, isha me atë fustanin e kësaj vajze të vogël dhe më bëri të mendoja,  sesa me fat kam qenë në fillim të karrierës. “Por të gjithë jemi të pasigurt. Nuk ka rëndësi sa i mirë je, je gjithnjë një fëmijë i vogël brenda vetes.”


Ben Lawrence - The Telegraph


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë