Komunitet

Ermira Danaj: Ta shpëtojmë qytetin post-pandemik!

E ku ka më mirë sesa ta kalosh një karantinë të dytë, të mundshme,  mes gjelbërimit e jo mes betonit qoftë ky i  Nju Jorkut, Parisit, Londrës, Romës apo  Tiranës! E gjithë kjo tendencë për t’u larguar nga metropolet i ka hapur udhë analizave dhe studimeve të ndryshme mbi formën dhe përmbajtjen e qytetit të ri, atij post-Covid. Sociologia e njohur dhe ekspertja e çështjeve gjinore, Ermira Danaj bën një parashikim për Gazetën Si sesi do të ndryshojnë qytetet pas pandemisë dhe pse njerëzit duan t’i largohen metropoleve dhe qendrave urbane në këto kohë pasigurie dhe frike, ndaj një vale të dytë infektimesh, ku vijojnë ende shifrat e larta me të prekur dhe viktima të asaj që e njohim si vala e parë e pandemisë.

Ka analiza që janë optimiste, më në fund njerëzit po kuptojnë rëndësinë e natyrës, e lidhjes më të ngushtë me të, ndoshta kjo tendencë e re do të sjellë një ndryshim në qasjen ndaj metropoleve, ndaj betonit, etj. Unë do të doja ta shihja me po kaq optimizëm tendencën e largimit nga metropoli, por për fat të keq e kam pak të vështirë”, rrëfen Danaj.

“Në fakt, vetë shprehja qyteti post-pandemik të fut pak frikën, ndoshta ngaqë jemi ende në mes të pandemisë, dhe duket sikur pak (aspak) gjëra na shqetësojnë këto kohë. Fatkeqësisht, përveç pandemisë së Covid-19 ka dhe plot shqetësime të tjera me të cilat jo vetëm duhet të bashkëjetojmë,  por do ishte mirë dhe ti jepnim ndonjë zgjidhje”, vijon Danaj, e cila për një periudhë ka qenë lektore e ftuar e Institutit Universitar të Lisbonës.

Qyteti Post-Pandemik. Kështu thotë se i parafytyroi qendrat urbane, ndërsa ndiqte edicionet  e lajmeve apo lexonte artikuj shtypi që  rrëfenin për banorë të  qyteteve të mëdha, të cilët pas karantinës së parë vendosën të largohen drejt qytezave të qeta e të gjelbëruara.

Por përtej vizionit idilik të rikthimit në origjinë, tek natyra, jeta e thjeshtë, që për ambientalistët mund të qe një parajsë në tokë me uljen e ndjeshme të ndotjes së mjedisit (sicc rezultoi edhe gjatë lockdown-it të gjatë në shumë vende, ku flora dhe fauna nisën të shtrinin mbretërinë e tyre edhe mbi asfalt, kur këmba e njeriut nuk u lejua të shkelte përtej dyshemeve të shtëpive apo apartamenteve), Danaj nuk e sheh aq optimiste fenomenin.

“Qasja ime pesimiste e sheh tendencën e largimit nga qyteti më shumë si një përpjekje individualiste drejt një komoditeti më të madh se sa një pasion apo dashuri e sapozbuluar për natyrën. Mund të jetë dhe kjo e fundit por jo detyrimisht e lidhur me ndonjë mision më altruist për mbrojtjen e planetit se sa pasja e një bahçeje të gjelbëruar për të përballuar karantinën e ardhshme”, thotë Danaj, duke pranuar se ky është një mendim i krijuar nga leximet në media dhe jo i bazuar mirëfilli në studime sociologjike.

Sociologia thotë se dukuria e parë që nxori në pah pandemia ishin pabarazitë; sociale, ekonomike, politike, kulturore. Në fund të fundit edhe izolimi nuk qe i njëjtë për të gjithë, pavarësisht vendimit të qeverive. Karantina nuk ndihej edhe aq e tillë në vila luksoze me kopshte të mëdha qindra metra katrorë, sesa në apartamente 50 metra katrorë, ku hapësira e ngushtë ndahej mes katër apo pesë anëtarësh në 24 orë.

“Ne pamë, edhe njëherë, edhe më qartë, se si hapësirat urbane janë të pabarabarta, se si sëmundja nuk na prek të gjithëve njëlloj në varësi të hapësirës ku jetojmë dhe të ndërveprimit tonë me qytetin dhe strukturën e tij. Dikush që banon në një lagje periferike, në apartament të vogël, që i duhet të marrë transportin publik për të vajtur në punë, e që nuk punon dot nga shtëpia, ka shumë më tepër rrezik për t’u infektuar se sa dikush që përdor transport vetjak e që mund ti porosisë ushqimet në shtëpi”, vijon Danaj.

Nuk është fjala për patetizma e aq më pak spekulime, por shifra të analizuara të ecurisë së përhapjes së Covid-19-s. Por këto pabarazi shoqërohen dhe me pozicionin e punës, jo të gjithë mund të punojnë nga shtëpitë. “Dhe për t’i rënë  shkurt, e gjitha kjo përmbyllet me pabarazitë në të ardhura dhe në qasje ndaj sistemit shëndetësor. Dhe këtu përsëri, pandemia nuk na prek(u) të gjithëve njëlloj”, është e mendimit sociologia Danaj, duke iu kthyer edhe njëherë marrëdhënies së njeriut me metropolin.

“Banorët që po largohen nga metropoli i përkasin më së shumti një klase të mesme (pavarësisht gjithë ambiguitetit që mbart ky klasifikim në ditët e sotme) që më së pari e kanë mundësinë të largohen nga metropoli”.Jo të gjithë munden t’i arratiseshin edhe po të donin. Puna në metropol i mban pazgjidhshëm në qendrat urbane edhe pse rreziku i infektimit mbetet më i lartë.

Kryesisht e lënë metropolin kush  mund të punojë në distancë, saktëson Danaj,  ose që kanë një profesion të tillë që tregu i punës në këtë moment e kërkon.“Pra, jemi të pabarabartë dhe karshi largimit nga metropoli dhe jetesës në një qytezë të vogël të gjelbër”, thotë Danaj, pa e fshehur ligështinë që i krijon arsyeja, për të egoiste, e largimit drejt natyrës.Sipas  saj, të gjitha vështirësitë dhe klaustrofobia që ndjemë në metropol gjatë karantinës, mund të kishte shërbyer  për ta ndryshuar hapësirën urbane dhe jo për ta braktisur atë.

Sociologia Ermira Danaj.

“Gjelbërimin që kërkojmë të gjejmë tek qyteza e vogël mbase do ish më mirë ta kërkonim dhe krijonim në metropol. Komunitetin që kërkojmë të gjejmë tek qyteza e vogël është mirë ta thurim në metropol, dhe të mos shkojmë e ta shqepim edhe tek qyteza e vogël”, vijon sociologia. Duke u ndalur tek problemet komplekse të qyteteve dhe qendrave urbane, ajo thotë se pandemia Covid-19, mbase është e fundit që do të duhet të na shqetësonte.  

“Nëse disa analiza optimiste tek largimi i banorëve të metropolit shohin transferimin e artit dhe kulturës drejt qytezave të vogla, unë shoh më tepër transferimin e një individualizmi të theksuar. Mendoj se qyteti pandemik mund të shpëtohet jo duke u larguar prej tij, por duke e transformuar në brendësi”, thotë ajo duke përfunduar se  pandemia na shërbeu për t’i parë në mënyrë më të vrazhdë të vërtetat që në fakt aty ishin./S.B

*Ermira Danaj është sociologe dhe eksperte e çështjeve gjinore. Ajo mban titullin Ph.D për Shkenca Sociale dhe Humane nga  Université de Neuchâtel,  në Zvicër. Ajo ka punuar si kërkuese shkencore, lektore dhe trajnuese në Çështjet Gjinore, është autore dhe bashkautore e një sërë studimesh, librash, artikujsh dhe kontributesh të tjera të lidhura me çështjet gjinore dhe feministe, me fokus të veçantë në Shqipëri dhe Ballkan.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë