Ka ndodhur

Vrasje me thikë në Ksamil, gjendet i pajetë 20-vjeçari portugez

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku një i ri portugez është gjetur i pajetë pranë një plazhi.

Viktima, Migel Mendes, rreth 20 vjeç, dyshohet se është vrarë me mjet prerës.

Autori dyshohet të jetë Sokrat Vata, i arrestuar dhe i dënuar në 2024 në Angli për trafik droge.

Banues në Has, autori i dyshuar është larguar menjëherë pas ngjarjes por është arrestuar disa orë më pas. Ai punonte në resortin ku ndodhi ngjarja.

Sipas të dhënave të reja të hetimit, ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 02:30, brenda ambienteve të lokalit te quantur “La Guerra”, pjese e resortit ku ndodhi ngjarja. Pas konfliktit, 20-vjeçari është nxjerrë jashtë ambienteve të beach bar-it, ku është lënë i pajetë në zonën e plazhit.

Mendes kishte marrë disa goditje me mjet prerës në shpinë dhe në kraharor, plagë të cilat i kanë shkaktuar vdekjen.

Në vijim të hetimeve, policia e Sarandës ka shoqëruar 42 persona, të cilët po merren në pyetje për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave që ndodheshin në lokal.

Në hetim janë edhe dy shtetas turq, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohej nga vendi i ngjarjes.

Në kuadër të hetimeve është ndaluar edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.

Matushaj dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën pas vrasjes. Sipas hetimeve, ai punonte si bodyguard së bashku me Vatën në ambientet e resortit dhe dyshohet se e ka ndihmuar atë të largohej nga vendi i ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë