Ngjarje

Vrasja e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, pezullohen nga detyra 2 policë: Nuk ndërhynë në sherr!

Nga Gazeta Si- Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Bëhet fjalë për Miosid Matushaj, punonjës i strukturave të Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, dhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër.

Sipas hetimeve, të dy ndodheshin në lokalin “Principote” në momentin kur nisi konflikti që më pas përfundoi me vrasjen e turistit. Ata kishin shkuar në lokal në rolin e bodyguard-ëve, ndërsa në detyrë duhej të garantonin sigurinë në ambientet e lokalit. Sipas Policisë, gjatë konfliktit ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Pas ngjarjes, gjithashtu nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit për vrasjen.

Për këtë arsye, ndaj tyre është marrë masa e pezullimit nga detyra. Ndërkohë, Miosid Matushaj është arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”. Edhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, rezulton të ketë qenë pjesë e grupit të personave që ushtronin funksionin e sigurisë në “Principote”. Për të, hetimet lidhen me përgjegjësinë për moskallëzimin e ngjarjes.

Në dosjen hetimore rezulton se në momentin e konfliktit në “Principote” ndodheshin edhe dy persona të tjerë që ushtronin funksione sigurie. Policia ka referuar në Prokurori përgjegjësitë e tyre për veprimet dhe mosveprimet para dhe pas vrasjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë