Menaxhim

ERE: Nuk ka më vlera referuese në faturimin e energjisë elektrike

Enti Rregullator i Energjisë, (ERE), ka lajmëruar për shfuqizimin e vendimit të vlerave referuese për faturimin e konsumatorëve që do të bëhej nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes OSSH dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal FSHU.

Vendimi për vlerat referuese jepte mundësinë që klientët e energjisë elektrike të faturohenin njësoj si i njëjti muaj i një viti më parë, p.sh janari 2021 do të kishte të njëjtën faturë të energjisë si janari i vitit 2020. Kjo metodologji u mendua për shkak të kufizimeve që erdhën nga pandemia në vendin tonë. Ky vendim u mor në janar të këtij viti dhe do të zgjaste deri në muajin qershor.

Për gjatë muajit mars, FSHU-ja dhe OSSH-ja njoftuan se kanë faturuar pjesërisht klientët me këtë metodologji, vetëm 200 mijë të tillë, për shkak të problemeve teknike. Në shkurt u faturuan 175 mijë klientë.

FSHU-ja ka raportuar gjithashtu se dhe ankesat e klientëve kanë qenë më të pakta me këtë vendim, kur në muajin shkurt u regjistrua vetëm një e tillë.

Sipas ERE-s, ulja e numrit të infektimeve nga Covid-19 dhe procesi i vaksinimit, do ta lehtësojnë punën në terren për operatorët e energjisë, prandaj dhe vendimi do të shfuqizohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë