Ne rrjet

Erdogan: Bashkimi Europian po braktis Ballkanin

Presidenti turk, Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se “braktisja”e Ballkanit nga Bashkimi Europian rrezikon stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit.

"Populistët që janë kundër emigrantëve në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë bllokuar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në union, duke dobësuar stabilitetin e rajonit", tha të martën presidenti turk.

Ai mori pjesë në samitin e mbajtur në Sarajevë për Ballkanin dhe Europën Juglindore, ku presidentët e vendeve të rajonit shprehën zhgënjim të thellë me mungesën e vëmendjes së BE-së dhe mos mbajtjen e premtimit për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Erdogan dhe presidentët e tjerë kritikuan BE-në për ngurrimin e saj për zgjerimin e mëtejshëm të bllokut.

"Kohët e fundit kemi parë se disa qarqe populiste që kanë bllokuar politikën e zgjerimit të BE-së. Trendet negative ndaj ndarjes dhe diskriminimit janë përhapur në të gjithë kontinentin dhe rrezikojnë jo vetëm paqen e brendshme brenda BE-së, por edhe stabilitetin e Ballkanit”, deklaroi ai.

Perpektiva e BE-së për zgjerimin e mëtejshëm është gërryer nga ndjenja kundër emigracionit midis votuesve dhe nga kritikat e vendeve perëndimore. Franca dhe Holanda, me mbështetjen e Danimarkës, gjithashtu mund të kërkojnë kushte të mëtejshme, si reformat për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri dhe Maqedoni.

Presidenti Erdogan në homazhet e Srebrenicës

Nisma e Turqisë për anëtarësimin në BE, që në vitin 2004, ka mbetur tanimë ne vend për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe liritë civile gjatë qeverisjes së Erdogan. Disa udhëheqës të BE duan që të anulojnë bisedimet, por Erdogan i ka akuzuar për paragjykime kundër myslimanëve.

Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç u bëri thirrje liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor që të dalin me një qasje të qartë dhe të përbashkët për rajonin.

"Ne jemi të shqetësuar përsa i përket politikës së zgjerimit, e cila është ngadalësuar dhe është duke u bërë e paqartë", tha Gjukanoviç duke shtuar se vendet e tjera të rajonit gjithashtu kishin marrë sinjale dekurajuese lidhur me procesin e pranimit në BE.

Ai tha se BE kishte dështuar të heqë kërkesat për viza për qytetarët e Kosovës ose të miratojë hapjen e kapitullit të fundit për procesin e pranimit të Malit të Zi dhe duke shtyrë miratimin e statusit kandidat të Bosnjes.

"Unë besoj se çështja e një perspektive reale të zgjerimit do të duhet të ndahet dhe të vendoset, nëse ne, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE, jemi partnerë të privilegjuar, ose po kthehemi në pozicionin e fqinjëve, të cilët thjesht punojnë për të ardhmen e kontinentit, "tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë