Lojëra me Dore

Bici, volejbollistja shqiptare që synon trofeun e Champions

Është vetëm 23 vjeç, por që tani është në majën e volejbollit europian. Erblira Bici, pak ditë më parë fitoi Kupën e Italisë me ekipin e saj Igor Novara, një sukses që asnjë volejbollist tjetër shqiptar nuk e kishte arritur. Në një intervistë për Gazeta Si, ka rrëfyer gjithë karrierën e saj nga palestrat pa kushte në Tiranë deri në majën e volejbollit italian. Bici flet për të gjitha hapat e saj, duke nisur që nga fillimet me volejbollin në qytetin e lindjes, Gramsh, për të kaluar në disa prej ekipeve më të mira të volejbollit shqiptar, si Tirana apo UMB.

Volejbollistja që shumë shpesh cilësohet si ajo që po mban gjallë shpresën e këtij sporti për Shqipërinë, tregon se fitimi i Kupës së Italisë është vetëm fillimi për të, pasi në fund të këtij sezoni ajo synon edhe trofeun më prestigjioz, atë të Ligës së Kampionëve. Ndërsa për pjesën e ekipit kombëtar të volejbollit për femra, Erblira Bici është me këmbë në tokë. Ajo thotë se grupi i vajzave është i ri dhe me më shumë punë dhe sakrifica mund të arrihet akoma dhe më tepër se sa medalja që u mor vitin e shkuar në Ligën e Europës.

Për momentin konsiderohesh si volejbollistja shqiptare më e mirë. Si ka lindur pasioni për këtë sport?
Ju falënderoj për vlerësimin në radhë të parë. Pasioni im nisi si gjithë fëmijët të cilët në fillim dërgohen në ndonjë sport nga prindërit. Aty qenë hapat e parë dhe të them të drejtën se kam menduar ndonjëherë se do e ktheja në profesion.

Kush të ka shtyrë drejt këtij sporti fillimisht?
Familja ime ka qenë një shtysë që unë të merrem me këtë sport dhe më veçanërisht, mamaja që gjithmonë më shtynte të merresha më këtë sport. Por gjithashtu edhe këmbëngulja e trajnerit tim të parë Neim Dollani kanë ndikuar shumë në formimin tim si volejbolliste.

Ka qenë e vështirë të merresh me volejboll në Shqipëri?
Të themi të drejtën kur e mendoj në retrospektive mendoj sa e vështirë është për sportistet shqiptarë të stërviten në ato kushte. Natyrisht dhe unë si gjithë të tjerët në ato kushte kam qenë dhe ka qenë e vështirë, por asgjë e veçantë dhe unë si të tjerët me dukej diçka normale dhe vazhdoja stërvitjen.

Cilën do të veçoje ti, si momentin kyç në karrierën tënde në volejboll?
Ka disa momente të veçanta të cilat kanë qenë momente të cilat kanë kthyer komplet historinë e karrierës time. Do veçoja faktin që u paraqitëm mirë me kombëtaren pas shumë vitesh që kombëtarja nuk po merrte pjesë në arenën ndërkombëtare. Aty u shpalla pikëshënuesja më e mirë dhe qe hapi parë i madh ku mu dha mundësia të vija në Itali. Momenti i dytë që vjet ne finalen e kupës A2 ku fatkeqësisht u mundem, por unë isha përsëri pikëshënuesja më e mirë.

Sa ka ndikuar në karrierën tënde fakti që, që në moshë të vogël ke luajtur me ekipin më të mirë në volejbollin shqiptar, Barleti Volej?
Ka ndikuar goxha dhe i jam mirënjohëse për besimin e dhënë trajnerit tim të asaj kohe Hasan Gurabardhi, i cili që në momentin që kam ardhur tek Tirana gjithashtu dhe tek UMB me ka aktivizuar si titullare dhe nga ky aspekt ishte veçse në të mirën time.

Sa e vështirë ishte në fillim kalimi në një kampionat të huaj si ai në Itali ?

Në Itali përveç kalimit normalisht në një sfere komplet tjetër të volejbollit dua ta lidh më shumë me faktin se sa është e vështirë qëndresa në këtë lloj niveli. Në çdo moment çdo ekip mund të të ndëshkojë, ka lojtarë me të vërtetë më të mirat në botë. Kujtoj që jo më kot janë finalistet e kampionatit botëror dhe se kanë ndër ekipet më të mira në Europë.

Dhe tani që je e para volejbolliste shqiptare që fiton Kupën e Italisë,
çfarë do të thotë kjo për ty?
Ndihem shumë e lumtur në radhë të parë gjithmonë duke ju rikthyer të shkuarës nuk doja të ishte një peng pavarësisht se ky këtë vit është shumë herë më i rëndësishëm sepse është i kategorisë A1. Pastaj ajo që është më e rëndësishme që ekipi im, Igor Novara ka një sfidë në çdo rrafsh me Coneglianon. Pas humbjes në Superkupë ishte e detyrueshme, Kupa e Italisë për të barazuar gjithçka në aspektin e trofeve këtë vit. Kampionati është i gjatë dhe impenjimi në Champions League është një nga prioritetet tona.

Çfarë synimesh ke në planin individual dhe me klubin?
Siç e thashë, synimi i radhës është Champions League ku kryesojmë grupin me pikë të plota dhe vazhdimi i kampionatit i cili është i gjatë dhe mjaft i luftuar.

Për sa i përket kombëtares, si e vlerëson gjendjen aktuale të grupit?
Kryesisht përbërja është me lojtare të reja pa shumë eksperiencë në fushën ndërkombëtare. Dua të jem pozitive dhe të besoj se asgjë nuk është e humbur për sportin shqiptar. I bëj thirrje dhe atyre vajzave të reja që luajnë me kombëtaren të japin maksimumin gjithmonë, nuk i dihet kurrë se çka rezervuar fati për këdo.

Pas suksesit vitin e shkuar në Ligën e Europës, sa larg mendon se mund të shkojë grupi aktual, duke qenë se shuma nga vajzat me eksperiencë janë larguar?
Liga e Europës për nga niveli nuk është një nga kompeticionet kryesore në Europë gjithsesi është shkalla e duhur për një kombëtare modeste si e jona që mund t’i hapë punë kujtdo. Jemi me këmbë në tokë dhe ja lejmë vetëm punës që do bëhet si nga federata, stafi dhe normalisht vajzat ku fus dhe veten pasi në fund të ditës jemi ne ato që dalim në fushë dhe përfaqësojmë vendin.

Si ndihesh që të konsiderojnë si shpresa e volejbollit shqiptar për femra?
Ju faleminderit dhe një herë e marr për kompliment. Ndihem shumë e lumtur nëse jam sadopak e tillë. Dua të ndihmoj dhe besoj shumë shpejt kam plane për të kontribuar akoma më shumë në volejbollin shqiptar. Për ta mbyllur dua t’i bëj thirrje sportdashësve të mos t’i braktisin pallatet e sportit. Tani më shumë se kurrë volejbolli shqiptar ka nevojë për ndihmë. Të gjithë atyre institucioneve që mund të ndihmojnë, të afrohen tek sporti dhe të shënojmë një faqe të re për volejbollin shqiptar. Faleminderit!

Nga Ardit Hoxha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë