Një ndeshje futbolli vendoset nga episodet dhe episodet bëhen akoma më shumë vendimtare nëse bëhet fjalë për një finale të madhe. I tillë ishte edhe takimi mes Realit të Madridit dhe Liverpulit, mbrëmjen e së shtunës.
Madrilenët u siguruan që edhe për këtë vit, trofeu i Ligës së Kampionëve të mos ndryshonte vendndodhje, por si e arritën këtë?
Liverpuli e nisi më mirë ndeshjen, dukej më shumë i uritur për fitoren dhe më kërkues për ta gjetur atë. Mohamed Salah, Sadio Mane, Firmino dhe Roberts në krahun e majtë provuan disa herë në 30 minutat e para të takimit.
Zinedine Zidane e dinte rrezikun që vinte nga Mane-Salah-Firmino, tre lojtarë që gjejnë njëri-tjetrin me sytë mbyllur në fushë dhe mjaft të shpejtë. Masat ishin marrë. Reali nuk u gjet asnjëherë i papërgatitur në prapavijë dhe zonën e kishte të mbipopulluar me mbrojtës, që bllokonin çdo gjuajtje të kundërshtarëve.
Rasti më i pastër për “The Reds” ishte kur Roberts shpërthen nga e majta dhe hedh një top të shtrirë në zonë. Firmino e kontrollon dhe godet menjëherë me të djathtën, topi përplaset tek Sergio Ramos dhe më pas përfundon në këmbët e Alexander-Arnold. Ky i fundit godet me të parën, por topi gjen portierin Navas.
Episodi i parë që do të vendoste fatin e këtij takimi mbërrin në minutën e 30-të. Mohamed Salah largohet i përlotur nga fusha e blertë pas një dëmtimi në shpatull që pësoi gjatë një dueli me Sergio Ramos. Mbrojtësi spanjoll e tërhoqi prej krahu egjiptianin, që ra keq në shesh dhe nuk mundi të vazhdojë më.
Në vend të tij në fushë hyn Adam Lallana, që nuk arriti asnjëherë që të ishte një hallkë lidhëse në sulm me Firminon dhe Sadio Manen. Me rrezikun kryesor jashtë fushe, Reali guxon më shumë dhe në minutat e fundit të pjesës së parë i afrohet golit, madje e gjen rrjetën, por në pozicion jashtë loje.
Pjesa e dytë nisi me Liverpulin që kërkoi të ruante ritmin e pjesës së parë. Gjashtë minuta nga nisja e fraksionit të dytë, mbërrin episodi i dytë. Këtë herë ëshë Loris Karius, portieri gjerman i Liverpulit, që këtë sezon ka qenë një ndër pikat më të forta të skuadrës së Jurgen Klopp. Gardiani kontrollon qetësisht me duar një top brenda zonës, por e humb qetësinë në momentin që do ta pasonte. Mundohet ta hedhë menjëherë në drejtim të Lovren, pa bërë llogaritë me Benzemanë. Ky i fundit zgjat këmbën e djathtë dhe bën vetëm spondin; topi ngadalë i drejtohet rrjetës. Reali kalon në avantazh.
Liverpuli shtyn më shumë përpara dhe vetëm 4 minuta pas golit të spanjollëve gjen rrjetën me Sadio Mane. Ndeshja barazohet sërish.
Episodi i radhës mbërrin nga stoli. Për Zinedine Zidane kjo ishte finalja e tretë radhazi dhe nga dy të parat kishte dalë fitimtar. Tregoi se nuk është rastësisht trajner tek Los Blancos. Francezi nxjerr Iscon dhe fut Gareth Bale. Uellsiani ja shpërblen mënjëherë me një gol të jashtëzakonshëm me rrofeshatë, i ngjashëm me atë të shënuar nga Ronaldo ndaj Juventusi në Torino në ndeshjet çerekfinale.
Reali rikthehet sërish në avantazh dhe me kalimin e minutave gjërat bëhen akoma më të thjeshta për ta. Liverpuli u përpoq, por në fazën finale të aksioneve të ndërmarra i mungonte qartësia.
Madrilenët u tërhoqën dhe u munduan të bëjnë atë që për tre vite me radhë Zinedine Zidane e ka aplikuar më së miri; kundërsulmin duke shfrytëzuar shpejtësinë e Ronaldos dhe Gareth Bale. Që të dy iu afruan disa herë goli të tretë, por nuk e gjetën atë.
Episodi që do të pasonte golin e qetësisë për Realin do të mbërrinte në minutën e 83. Gareth Bale godet pa shumë pretendime nga një distancë e largët. Topi ishte i fortë, por qendror. Loris Karius, ndoshta nën trysninë e gafës së parë, realizon një tjetër gafë. Portieri gjerman u mundua ta kontrollojë atë top, në vend që ta grushtonte menjëherë. Përpjekja i kushtoi shtrenjtë. Topi rrëshkiti nga duart dhe përfundoi në rrjetë.
Minutat e mbetura nuk ndryshuan asgjë. Edhe përpjekjet titanike të Ronaldos për të gjetur golin në një mbrëmje që nuk ishte e tija, ose më saktë në një mbrëmje ku u neutralizua paq nga Lovren dhe Van Dijk, nuk rezultuan pozitive.
Fërshëllima përfundimtare shpall për herë të tretë radhazi Realin kampion të Europës, si askush më parë, ndërsa në krahun tjetër shpërthejnë lotët. Loris Karius e dinte çfarë kishte katranosur dhe iu drejtua tifozëve i përlotur duke u kërkuar ndjesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.