Lajme

Energjia përmes fotovoltaikëve, duhet kohë për adaptimin e teknologjisë

Prodhimi i energjisë elektrike përmes energjisë solare po vonon në Shqipëri për shkak se implementimi i teknologjisë përkatëse dhe krijimi i kushteve të sigurisë për prodhuesit kërkon kohën e vetë.

Ky është konkluzioni i diskutimeve të takimit që bëri bashkë ekspertë nga Ministria e Energjisë, OSHEE-së, OST-së dhe grupet e interesit.

Ministrja Belinda Balluku me ekspertë të fushës

“Ministria me daljen e ligjit është përballur me problematika që kanë të bëjnë me implementimin e një teknologjie të re për Shqipërinë për impiantet fotovoltaike për prodhimin e energjisë nga konsumatorët familjarë dhe bizneset e mesme dhe të vogla. MIE respekton dhe mbështet përpjekjet për të injektuar energjinë solare për prodhimin e energjisë elektrike si praktikë e re që në 10 vjeçarin e fundit ka gjetur aplikim në shumë vende europiane, por edhe në gjithë botën. Instalim i tillë në përputhje me ligjin është i mirëpritur, por kërkon gjithashtu vëmendje të veçantë teknike me qëllim respektimin e kodit të shpërndarjes", tha Ministrja Belinda Balluku në sqarim të vonesës së udhëzimit që po pengon impelemntimin e impianteve dhe injektimin e enrgjisë në sistemin e shpërndarjes.
Gjergj Simaku sqaroi se vonesa për udhëzimin ka ardhur si rezultat i ratifikimit të gjithë problematikave me operatorët për të gjetur një emërues të përbashkët dhe për të bërë më të mirën për konsumatorët. Për të kjo është hera e parë që një konsumator sillet si prodhues dhe “ne po shkojmë tek një risi për ligjin shqiptar dhe po tregojmë se nuk jemi të orientuar vetëm tek energjitë klasike hidro por kemi filluar në masë diversifikimin” .

Gjithashtu tha ai, në këtë situatë mpleksen probleme teknike, ekonomike dhe sociale.

Petraq Lika i OSHEE-së identifikoi si problematikë moshën mesatare e rrjetit që është 40 vjeçare dhe relativisht i vjetruar e i ndikueshëm nga ndryshimet klimaterike. Rrjet i centralizuar pasiv që për këtë hap të ri duhet të kthehet në rrjet aktiv.

OSHEE ka ngritur një grup pune për të ndërtuar një platformë duke iu referuar teknologjive on line, që kanë të bëjnë me operimin dhe kontrollin e rrjetit për ta mbështetur këtë proces. Kanë nisur hapat e para në rajonet ku ka nevojë të madhe për konsum Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Fieri në përputhje me manualin e cilësisë.

“Po punojmë për fuqizimin e nënstacioneve në bashkëpunim edhe me OST. Të dy operatorët po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe jemi në rakordim të vazhdueshëm. Sigurisht që po shohim edhe pjesën e sigurisë së jetës së konsumatorit se edhe këto duhet të jenë pjesë e debatit. Duhet të ketë trupa të akredituar që do të ofrojnë zgjidhje të duhura në këtë aspekt. Njëkohësisht duhet të kemi parasysh edhe zhvillimin e protokolleve. Deri më tani kemi protokolle për formatet manuale ndërkohë që në vazhdim duhen edhe ato smart apo online. Kapacitetet janë të limituara. Po punojmë me fuqizimin e burimeve përkatëse në bashkërendim me OST. Ka problematika të sigurisë së jetës së konsumatorit. Formatet duhet të jenë profesionale”, tha Lika.

Përfaqësuesi tjetër i OSHEE Elton Sevrani theksoi se jo çdokujt mund ti lejohet të instalojë impiant, por duhet të përmbushë një set kushtesh sepse në të kundërt dëmi që i sjell sistemit është i lartë. “Vendimmarrjet pa studim fizibiliteti dhe pa elementët e rrjetit apo elementët e dibalancave që transmetohen në gjithë rrjetin elektroenergjetik kanë sjellë problematika. Kjo duhet të na shërbeje që në udhëzimin që do hartojmë këto elementë të jenë pjesë shumë strike e një kontrolli dhe certifikimi teknik që çdo autogjenerues nuk duhet të ketë të drejtën të instalojë por duhet të plotëosjë një set teknik”, tha ai.

Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Skerdi Drenova nënvizoi se “çdo matës që do të instalohet tek prodhuesit duhet të jetë smart që të japin informacion në kohë reale sipas protokolleve të OSHEE-së dhe të mos kemi mbingarkesa në sistem. Çdo individ duhet të lidhë kontrata me kompani të licensuara për kontrollin dhe mirëmbajtjen. Kemi të bëjmë me një sistem delikat si nga pikëpamja teknike dhe e sigurisë.”

Do ditë më parë, grupi i interesit i nisi MIE një letër ku kërkonte miratimin e udhëzimit që i hap rrugë investimeve në fotovoltaikë për vetëkonsum.

Projekte të vogla kanë nisur në vend, të cilat kanë rezultuar me sukses.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë