Lajme

Shqipëria smart, modeli që kursen paratë dhe 2/3 e energjisë

Sabina Veizaj- Teknologjia Led për ndriçim e kombinuar me ndërtimin e një impianti fotovoltaik për të prodhuar energji diellore, do të sillte një kursim të energjisë në 60%.
Ky sistem do të vinte në ndihmë në termat e përdorimit të energjisë me efiçencë dhe kursimit të saj, veçanërisht për ndriçimin publik të qyteteve dhe fshatrave, përdorimin e energjisë në institucione shtetërore dhe biznese të vogla.

Në nëntor është vënë në punë një sistem i tillë replikues (model që mund të aplikohet kudo) nga GIZ për të ndriçuar rrugën e Ambasadave në Tiranë.

Investimi është gati 20 mijë euro; 14 mijë euro ka kushtuar sistemi i ndriçimit led dhe 4500 euro impianti fotovoltaik që prodhon energji për të ushqyer sistemin.

Inxhinieri Ismail Beka, zv Drejtor në GIZ shpjegon për gazetën “Si” se sistemi i ndriçimit të kësaj rruge që për nga konstruksioni datonte në 1980-ën, është transformuar në një sistem me teknologji led me kosto optimale investimi, por me teknologji të re të kursimit të energjisë.

Ismail Beka

“Kjo realizohej me llampa led që ti jepnin rrugës ngjyrën e duhur të ndriçimit, që të mos krijonte stres si tek këmbësorët, ashtu dhe tek derjutuesit e makinave, të ishte e ngrohtë, të kishte një uniformitet ndriçimi për të gjithë përdoruesit e rrugës dhe të mos jepte dritë të tepërt për mjedisin përreth. Me këtë ndriçim ti mund të çosh dritë atje ku duhet, jo si më parë kur llampat ishin në formë globi dhe ndriçonin më shumë ndërtesat se sa rrugën. Pas përllogaritjeve rezultoi që ne mund ta realizonim këtë objektiv cilësor, por edhe me kursim të kosniderueshëm energjie.”- sqaron Z. Beka.

Në panelin e komandimit të ndriçimit është vendosur vetëm për këtë rrugë, një sahat matës elektrik që mat sasinë e energjisë që harxhohet çdo natë. Me ndryshimin e sistemit të ndriçimit, me vendosjen e llampave të reja (led), shpenzimi i energjisë është matur se nga 70-80 kwh/ energji që shpenzohej në natë me sistemin e më parshim, aktualisht shpenzohet 20-22 kwh/natë energji elektrike.

Në bilancin vjetor është përllogaritur që ky sistem ndriçimi të ulë shpenzimin e energjisë nga mbi 20 000 kw/h në vit në gati 5500 kw/ në vit.
Një avantazh tjetër që i është adaptuar sistemit është edhe programimi i ndriçimit me kompjuter. Përmes menaxhimit ndriçimi mund të pakësohet për atë periudhë kohe që në rrugë nuk ka as këmbësorë dhe as makina.

Por në të njëjtën kohë sistemit për ndriçimin e rrugës së ambasadave i është bashkëngjitur edhe prodhimi i energjisë përmes një impianti fotovoltaik.

“Nga ana tjetër donim të demonstronim që mund ta prodhojmë vetë këtë energji. Jo për t’iu përgjigjiur konsumit të një nate, por për të bërë diferencën në terma vjetorë. Ne ndërtuam një sistem prodhimi energjie demonstrues me panele fotovoltaik, në një ambient ku qëndrojnë makina të parkuara, pa kërkuar sipërfaqje toke shtesë, por përkundrazi duke krijuar komoditet, aty ku qëndrojnë të parkuara dy makina, mbi të cilët është paneli dhe makinat ruhen nga dielli në këtë mënyrë.”- shpjegon Z. Beka.

Sistemi është përllogaritur të prodhojë 5500 kwh/në vit energji. Energjia që prodhohet nga impianti fotovoltaik shërben për të ndriçuar rrugën dhe pjesa e mbetur kalon drejtpërdret në një godinë publike të trupës diplomatike.

Projekti është hartuar e implementuar nga GIZ dhe është financuar nga BAshkia e Tiranës që ka bërë riparimin e sistemit të vjetër, ITE Group, Philips, Fast Energy, Ministria e Energjisë dhe Ministria për Europën.

“Ky nuk është model vetëm për këtë rrugë, por është një model i replikueshëm. Që do të thotë nëse do të investosh në teknologji të tillë, do të përmirësosh standardin e ndriçimit, por mbi të gjitha do të kursesh shumë energji.”- argumenton më tej inxhinieri Beka.

https://www.youtube.com/watch?v=5kpJlIpvqf0&feature=youtu.be

Vetëm Bashkia e Tiranës harxhon 1 mln 800 mijë euro në vit për ndriçim publik. Nëse do të bënim një llogari të përafërt për të gjithë vendin, fatura e ndriçimit publik do të shkonte në gati 20 mln euro. Dhe nga ky ndriçim aktualisht përfitojnë vetëm zonat urbane, pasi në zonat rurale harta është e errët dhe nuk ka sistem të unifikuar ndriçimi.

Prandaj për inxhinierin Beka, nëse do të kishte një strategji për të zëvendësuar sistemet e vjetra të ndriçimit publik në zonat urbane, për ato që kanë një sistem të ndërtuar nga 10 vjetë më parë e sipër dhe të ndërtoheshin sisteme për zonat rurale, do të përfitonte si ekonomia kombëtare, ashtu edhe ajo lokale.

Vetëm Tirana, thotë z. Beka, ka 50 mijë metër katror sipërfaqje të lirë të objekteve publike; shkolla, kopshte, çerdhe, ambulanca. “Të investosh në çatitë e tyre duke instaluar panele fotovoltaike më të mëdha se modeli demonstrues që kemi krijuar ne, do të ishte një kryevepër. Me më pak se 1000 euro për 1 kë fuqi të instaluar fotovoltaik, je në gjendje të realizosh impiante të çdo lloj madhësie. Të bësh një impiant në një godinë publike aq sa të furnizosh me energji konsumin e asaj godine. Të mos jesh prodhues publik, por të prodhosh në mënyrë që të ulësh shpenzimet për energjinë e brendshme.”

Me përllogaritjet që GIZ ka bërë; bashkitë e paguajnë energjinë 14 lekë/ për kw/h/ plus TVSH 16, 8 lekë dhe ky investim i dy-fishtë e shlyen veten në më pak se 5 vjetë.

20000 kw/h X 0,13 euro (16,8 lekë) = 2600 euro të ardhura neto të kursyera nga ky sistem.

“Objektivi ynë është që këto bashki të mos i kenë këto modele për ti parë, por për ti replikuar. Ne po përpiqemi të ndërtojmë një model, jo vetëm për një rrugë, por një plan biznesi për një bashki që të jetë më komplekse. Bashkinë e Himarës me gjithë fshatrat për shembull. Sepse është një vend që për shkak të turizmit ka specifika të veçanta. Po përpiqemi të gjejmë sisteme inteligjente që dritat të ndizen kur ti kalon në rrugë me qëllim që të rrisim sa më shumë efiçencën e energjisë dhe po ashtu të kursejmë sa më shumë”.

Inxhinier Beka sugjeron që këto modele janë shumë interesantë të aplikohen në këtë mënyrë të investimit të dy-fishtë me qëllim që kursimi të realizohet nëpërmjet menaxhimit. Ai gjykon se, nëse e konsideron fondin e energjisë si fond real investimi, vetëm me buxhetin për të paguar energjinë, në 10 vite mund të rinovohet i gjithë sistemi i ndriçimit publik që do ti sjellë vendit kursimin e 2/3 të energjisë që shpenzot sot.

Një model i tillë ndriçimi publik, por jo i dy-fishtë, vetëm me llampa led është bërë prej 4 vjetësh e gjysmë në Zonën Historike të Gjirokastrës ku gjatë kësaj periudhe nuk ka lindur nevoja të ndërrohet asnjë llampë, apo ti bëhet servil sistemit. Gjithashtu një model i tillë është replikuar në pedonalen e Shkodrës dhe prej Vitit të Ri 2019 në rrugën kryesore të Korçës.

Objektivi aktual primar i GIZ është që modeli replikues të aplikohet në tre fshatra në Gjirokastrës, Shkodër dhe Tiranë e më pas të shihet në kompleks në Himarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë