Ekonomi

“Energjetika jo transparente në skanimin e kontratave të HEC-eve”

Organizata mjedisore Eco Albania dyshon se skanimi i kontratave të HEC-eve i ndërmarrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës bëhet për pazare. Gjithashtu organizata bën me dije se procesi është aspak transparent për publikun.

Përfaqësuesit e kësaj organizate që kanë dalë përherë në mbrotje të lumenjve, sidomos të zonave të mbrojtura, u shprehën në një konferencë për shtyp se “Skanimi nuk do të ketë efekt, nuk është hera e parë që bëhet. Nuk kanë ngelur më lumenj pa u shkatërruar dhe pa u planifikuar për tu ndërtuar.”

Sipas tyre, kjo është një demagogji e radhës nga Ministria e Infrastrukturës, “e cila fsheh informacionin dhe nuk është transparente. Procesi i pezullimit po kalon në disa faza të cilat nuk janë aspakt transparente për publikun. Ne si shoqëri civile kemi kërkuar informacion, por nuk na është dhënë. Mungesa e transparencës na bën me të drejtë të kemi dyshime se si do të shkojë ky poroces më pas.”

Përfaqësuesit ligjor të organizatës shpjeguan se ky proces i ndërmarrë nga Ministria nuk ka të bëjë me kontratat e dhëna, por me ato që janë në proces dhënieje.

Olsi Nika, Drejtor i Eco Albania argumentoi se ky proces bëhet akoma më i pabesueshëm pasi sipas tij, Ministria e Energjisë që e ka ndërmarrë këtë nismë është ajo që miraton kontratat, por nuk ka asnjë kompetencë në lidhje me çështjet e mjedisit, e gjithashtu as kapacitete për ta bërë këtë”. Nika gjykon se skanimi i këtyre kontratave duhej të bëhej nga një komision me bazë të gjerë.

“Duhet të kuptojmë që përse bëhet kjo; në respektim të ligjit apo për pazare”- shtoi ai.
Teksa projektligji “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat” vazhdon të jetë ende në procedurë, Eco Albania insiston që mendimet e propozuara prej saj, të depozituara në kuvend të merren parasysh.

Eco Albania ka depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë; Sugjerime për ndryshime dhe shtesa në Ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar dhe ligje të tjera që ndërveprojnë në fushën e koncesioneve.

Heqja e propozimeve të pakërkuara si një praktikë tejet e përhapur e cila nuk garanton cilësi në studimin e fizibilitetit si dhe konkurrencë të drejtë, ka propozuar ECo Albania. Gjithashtu ajo kërkon identifikimin e projekteve të mundshme koncensionare/PPP që të bëhen duke u mbështetur në strategjitë, planet apo programet elektorale e ndërsektoriale të nivelit kombëtar, vendor e ndërvendor, detajimin e studimt të fizibilitetit duke ezauruar të gjitha pjesët që ai duhet të përmbajë si pjesë përbërëse të tij; analizën ekonomiko e financiare dhe ndikimet mjedisore e sociale. E rëndësishme është për Eco Albania edhe përfshirja në tarifën e koncesionit, e pagesës për shfrytëzimin e pasurisë në pronësi të shtetit dhe / ose personave privatë.

Këto amendime, që sipas ekspertes ligjore të organizatës, Elvana Tivari kanë marrë parasysh 16 direktiva dhe rregullore që aplikohen në 4 fusha dhe rreth 50 ligje dhe vendime të qeverisë që Eco Albania mendon se ka nevojë për ndërhyrje, janë marrë në konsideratë vetëm nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, kurse komisionet e tjera nuk i konsideruan.
Megjithatë edhe Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, pasi i shqyrtoi, i rrëzoi.

Në atë senacë komisioni, Ilir Beqaj, kërkoi që mosdhënia e koncesioneve të pakërkuara në ndërtimin e rrugëve të mos jetë pa afat, por që ligji të merrte formën e një moratoriumi që ndalonte PPP-të në infrastrukturë deri në dhjetor të vitit 2021.

Mbi të gjitha, ky propozim i deputetit Beqaj u miratua nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese. Por, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, që është përgjegjës për këtë ligj, e rrëzoi propozimin e moratoriumit, duke i qëndruar variantit të qeverisë.

“Ta mbështesim kërkesën që ka sjellë Këshilli i Ministrave. Këtu në këtë ligj, komisionet e tjera kanë kërkuar shtyrjen ose moratorium, ndërsa unë u kërkoj të gjithë anëtarëve të këtij komisioni që ta mbështesim politikisht qëndrimin e Këshillit të Ministrave”, tha tre javë më parë Arben Ahmetaj në komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Ndryshimi i ligjit vjen pas disa skandaleve në fushën e koncesioneve dhe “ulërimën” që kanë vënë një sërë institucionesh ndërkombëtare për praktikat koncesionare në Shqipëri dhe PPP-të.

Ndryshimet në projektligj, propozim i qeverisë parashikojnë që nga 1 korriku nuk do të ketë më ofertë të pakërkuara për rrugët, por ky mekanizëm investimi do të vijojë të jetë në fuqi për projektet në fushën e energjisë elektrike, portet dhe aeroportet me argumentin si sektorë strategjikë për të cilët vendi ka ende nevojë për investime dhe përvojën e sektorit privat.

Në të njëjtën kohë Ministria e Energjitikës ka ndërmarrë një proces për ti bërë skaner të gjitha kontratave koncesionare në fushën e energjetikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë