Futboll

Ende pa mbaruar, stadiumi i Totenham kthehet në zgëqe

Stadiumi i ri i Totenham ende në ndërtim e sipër, është kthyer tashmë në një vend ku kontrabandohet alkool dhe shiten apo konsumohen drogëra të ndryshme. Tingëllon si një absurditet që një gjë e tillë të ndodhë në mes të Londrës, por në fakt është lajmi më i fundit që vjen nga mediet angleze. Lajmi tronditës vjen vetëm disa ditë pas njoftimit për shtyrjen e inaugurimit për shkak të vonesave në punime për arsye sigurie. Në fakt, duket se mijëra punëtorë që janë angazhuar në ndërtimin e këtij impianti që llogaritet të jetë më i shtrenjti në Britani, janë përfshirë në konsumimin e drogës dhe alkoolit. Mediet angleze shkruan se në mjediset e kantierit të stadiumit të ri të Totenham punëtorë të cilët pinë që nga mëngjesi deri në darkë janë parë duke konsumuar alkool dhe kokainë.

Stadiumi i Totenham i fotografuar vetëm disa ditë më parë

Por lidhur me këto akuza, ka reaguar kompania që po ndërton stadiumin, e cila është një nga më të mëdhatë në Angli dhe në të gjithë Europën. “Group Mace” në një deklaratë për mediet ka mohuar se konsumimi dhe tregtimi i alkoolit apo drogërave mund të ndodhë në ambientet e kantierit të stadiumit.

“Siguria, rendi dhe shëndeti i punonjësve tanë ka qenë dhe vijon të jetë një nga parimet bazë të kompanisë sonë në të gjitha angazhimet që ne marrim. Të gjitha lajmet që flasin për dhunë, konsum apo tregtim lëndësh narkotike e alkool në ambientet e stadiumit të ri të Totehahm janë të pavërteta.

Projekti final se si do duket stadiumi i Totenham kur të përfundojë

Stadiumi i ri po kthehet në një gangrenë për skuadrën e Toteham, e cila pas muajit dhjetor rrezikon të mbetet pa një impiant ku mund të presë ndeshjet në shtëpi. Deri në fundin e muajit dhjetor Totenham mund të luaj në Wembley, por nëse edhe deri në Janar stadiumi i ri nuk ka përfunduar do të jetë e detyruar t’i luaj ndeshjet në fusha sportive ose të shkojë diku tjetër me qira. Përveç këtyre problemeve jashtë fushe, Totenham po kalon një situatë të vështirë edhe në aspektin e rezultateve, ku disfata me Interin në Champions ishte e treta radhazi. Trajneri Pochetino është vënë në shënjestrën e kritikave për këtë formë të dobët në këtë fillimsezoni.

https://www.youtube.com/watch?v=uKaormrbkNQ

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë