Politike

Emri i Evis Kushit, një emërim i ftohtë për llogari të fushatës

Kur kryeministri Edi Rama fitoi mandatin e parë qeverisës këtu e 7 vjet më parë, premtimi i parë që ai mbajti ishte ndarja e postit të ministrit nga ajo e deputetit.

Një praktike që Rama nuk e ndoqi në mandatin e dytë qeverisës me argumentin se ministrat duhet të kishin një lidhje shumë më të fortë me grupin parlamentar, se mandatin e parë. Megjithatë ndër vite si kryeministër, Rama eksperimentoi me figura aspak të njohura për publikun shqiptar (e aq më shumë për strukturat e PS-së), siç ishte edhe rasti i Besa Shahinit e katapultuar nga Kosova në krye të ministrisë së Arsimit pa asnjë meritë politike

Nën një mjegullnajë thashethemnaje me deklarata largimesh ku nuk u mor vesh e vërteta nëse iku apo e hoqën nga detyra dy vjeçare si ministre pa asnjë rezultat të qenësishëm, Edi Rama, e kapërceu veten duke sjellë në krye të ministrisë së Arsimit, një figurë krejtësisht politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Evis Kushi nuk është një personazh politik i dalluar, aq sa edhe PD nuk pat gjë për të thënë, (përveçse t’i rendisë detyrat që duhet të bëjë).

Ajo ruan një profil të ulët politik dhe nuk e dallon nga shumë syresh të tjerë në PS.

Megjithatë, ajo njeh mirë strukturat e PS-së së Elbasanit nga ku është zgjedhur kryetare e kësaj dege qysh prej muajit Janar të këtij viti.

Nëse do të flasim më tej për klanet në PS, Evis Kushi njihet si “krahu” i Taulant Ballës për qarkun e Elbasanit (ku ai është drejtues fushate) dhe për shumë kohë në PS ajo është përfolur si emër i katapultuar në strukturat partiake nga ish-kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini.

Më shumë sesa për kapacitetin e saj akademik (që e ka të pasur), Evis Kushi është emëruar (më e pakta) në këtë detyrë, për një shtyse më të fortë afrimi dhe koordinimi me strukturat e PS-së, nisur edhe nga ndryshimi i madh me paraardhësen që këtë objektiv as nuk e parashihte në axhendë.

Ajo përfaqëson në Kuvend qarkun e Elbasanit, qyshse iu fut politikës në vitin 2013.  

Në muajt e mbetur nga zgjedhjet, emërimi i Kushit nuk pritet të sjellë as ndonjë risi në politikat arsimore, (vetë ajo e pranoi se rrugën e gjen të shtruar qysh nga Lindita Nikolla) përveçse do të lakohet si një emërim logjik, krejt i ftohtë e ndofta i duhur për llogaritjet matematikore që Edi Rama po bën për qarkun e Elbasanit, aty ku dalin edhe 14 deputetë; i treti për nga pesha zgjedhore pas Tiranës dhe Fierit.

Sepse koha për eksperimente të tipit “Shahini” ka mbaruar.

Është koha për fushatë dhe vota.../N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë