Politike

PD: Arsimi, dështimi i madh i Ramës! Dy detyrat e Evis Kushit

Partia Demokratike thotë se arsimi është dështimi më i madh i qeverisjes së Edi Ramës dhe me largimin e Besa Shahinit nga Ministria e Arsimit dëmi i bërë në këtë sektor nuk riparohet.

Sipas Partisë Demokratike, detyrat e Evis Kushit si ministre e re e Arsimit duhet të jenë vetëm dy.

“Në 7 muajt e mbetur deri në prill, Ministrja e re e Arsimit, ka 2 detyra në të cilat paraardhëset e saj kanë dështuar: Të sigurojë testimin e të gjithë mësuesve, shpërblimin e tyre për vështirësinë e punës dhe kushte minimale anticovid në shkolla. Të mos i bindet shefit të saj në ikje për të përdorur mësuesit në zgjedhje”, deklaroi ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

Vokshi akuzon drejtpërdrejtë Kryeministrin se e shkatërroi arsimin përmes uljes së vazhdueshme të buxhetit për këtë sektor, ndryshe nga premtimet e bëra para 2013-ës.

“Ai jo vetëm mashtroi me financimin prej 5% të prodhimit të brendshëm bruto në arsim, por e uli çdo vit fondin duke e cuar Shqipërinë në vendin e fundit në rajon. Shkollat sot janë më keq, ato jo vetëm nuk i përgjigjen zhvillimit të teknologjisë, por pjesa më e madhe e tyre me infrastrukturë të degraduar. Nuk bëhet fjalë për tabletat, apo laboratorët modernë të premtuar në shkolla që nuk kanë as kushtet më minimale, as ujë të rrjedhshëm. Mësuesit janë cdo ditë nën presion politik, drejtuesit e shkollave janë militantë partiakë. Kjo ka ulur ndjeshëm cilësinë në shkolla. Siguria në shkolla është ulur. Në to janë fshehur edhe krime monstruoze vetëm për të mos dëmtuar imazhin e qeverisë”, u shpreh Vokshi.

Ish-deputetja demokrate tha se sot mësuesit janë në pritje të ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike për të parë rritjen reale të pagave të tyre, një trajtim më dinjitoz dhe arsim më cilësor në shkolla dhe universitete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë