Opinion

Emigrantët – Tërhiqet Salvini? Kërkon negociata me BE

Kur vendosi të hapte portat e Europës për refugjatët, në vitin 2015, Angela Merkel nuk do ta kishte parashikuar kurrë rritjen e pashembullt të populizmit në mbarë kontinentin. Më keq akoma, “liderja de fakto” e Bashkimit Europian nuk kishte nga ta dinte se ishte duke i dhënë Mateo Salvinit “armën e përkryer” për të ardhur në pushtet. Nën moton “djemtë e fortë e bëjnë Bashkimin Europain edhe më të fortë”, ministri i Brendshëm italian duket se është duke sfiduar një nga një liderët europianë, për të mbrojtur sipas tij interesat kombëtare të vendit. Italia është bërë baza më e madhe e emigrantëve dhe azilkërkuesve në Europë, ndërkohë që qindra mijëra refugjatë nga Afrika e Veriut përpiqen të hynë çdo vit në kontinent. Por pas përballjes me Presidentin francez, Emmanuel Macron dhe përplasjes se BE-në për strehimin e disa refugjateve të bllokuar në brigjet siciliane, Salvini ka zbutur tonet, ditën e sotme, duke deklaruar se qeveria italiane është duke u përpjekur të negociojë me Brukselin, por se ka qenë ky i fundit që i ka “mbyllur dyert”.

“Megjithëse normalisht mua më përshkruajnë si huligan, unë përpiqem gjithmonë të argumentoj, të diskutoj dhe të pyes. Për reformën e rregullave të Dublinit ne bëjmë propozime, presim, propozojmë. Është e qartë që unë dua t'i ndaloj të gjitha ardhjet”, thotë ai  në intervistë me “Deutsche Wellen”.  

Ministri i Brendshëm italian deklaron ndër të tjera se kancelaria gjermane e nënvleftësoi rrezikun e konflikteve sociale për shkak të emigrimit. I pyetur në lidhje me debatet e brendshme në Gjermani, për shkak të fluksit të azilkërkuesve, Salvini shprehet se: “Është e sigurtëqë Angela Merkel e nënvleftësoi vitet e fundit rrezikun e konflikteve sociale, kur pohoi se në Gjermani ka vend për qindra mijëra nga këta njerëz. Më kujtohet se çfarë ndodhi atë natë të Vitit të Ri në Këln dhe në vende të tjera. Megjithatë ajo që vlen është se dhuna nuk mund të jetë asnjëherë zgjidhje. Dhuna prodhon dhunë të re, por qeveria gjermane e ka nënvleftësuar problemin vite me radhë. Forcimi i "Alternativës për Gjermaninë" është reagim i fortë për këtë. Kjo është përgjigjja që përpiqen të japin shumë gjermanë të pakënaqur.”

Mateo Salvini 

Salvini ka deklaruar gjithashtu se pas incidentit të fundit të anijes me emigrantë së bllokuar në brigjet siciliane dhe paaftësisë së BE-së për t’i dhënë një zgjidhje situatës, ka vendosur të negociojë me vende jo anëtare si Shqipëria, e cila ishte para që u ofrua për strehimin e disa prej refugjatëve. Por Bashkimi Europian shkaktoi një tjetër përplasje të ashpër me qeverinë italiane duke bllokuar strehimin e refugjatëve në vendin tonë

“Vitin e fundit, në periudhën deri në gusht në Evropë erdhën 100.000 vetë dhe BE ndërmori pak ose asgjë”, shprehet Salvini. “Këtë vit, deri tani kemi 20.000 ardhje dhe BE vazhdon të bëjë pak. Pra, unë jam gjithmonë për dialog me BE, por që prej incidentit të fundit ne zhvillojmë bisedime edhe me shtete jo anëtare të BE si Shqipëria, Serbia ose Mali i Zi”, përfundon ai.

Por aleanca që ka “shkundur nga themelet” Bashkimin Europian ka qenë ajo e Italisë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, më qëllim “mbrojtjen” e Europës nga dyndjet e refugjatëve. I pyetur nëse ndan të njëjtat me pikëpamje me kryeministrin hungarez, Salvini shprehet se po mundohet të bëjë më të mirën për të gjitha palët.

“Viktor Orban flet për mbrojtjen e kufijve evropianë, për mbrojtje në vendet e origjinës dhe për investime në Afrikë. Këtu unë jam dakord me të”, thotë ai. “ Angela Merkel premton një shpërndarje (të refugjatëve) në Evropë. Me këtë qëndrim unë madje mund të jem dakord në të ardhmen e afërt. Ajo që ka rëndësi është që njerëzit të ndihmohen, në mënyrë që të mos jenë të detyruar të marrin arratinë nga vendi i tyre. Ne duhet të investojmë shpejt 500 milionë euro në Afrikë. Parë nga ky kënd unë mendoj se të dyja, Gjermania dhe Hungaria, kanë të drejtë në fusha të caktuara”, përfundon Salvini.

Viktor Orban dhe Mateo Salvini 

Në intervistën me gazetën gjermane, Salvini shprehet gjithashtu se është shumë i lumtur me 100 ditët e para të qeverisë së tij, pavarësisht të tregjeve ndërkombëtare.

“Ka njerëz që spekulojnë”, thotë zëvëndëskryeministri. “Ka edhe njerëz që janë kundër nesh. Qeveria jonë është e lirë dhe e pavarur nga koncernet multinacionale, nga investorët e mëdhenj dhe pushteti i bankave - si në plan ndërkombëtar, edhe në atë evropian. Ne nuk kemi frikë. Ekonomia italiane është e shëndetshme. Sipërmarrjet italiane janë të shëndetshme. Reformat ekonomike do t'u japin përgjigje të gjitha pyetjeve.”

Për shumicën e ekspertëve perëndimorë, triumfi i tij në zgjedhje nuk ishte surprizë, përkundrazi, konfirmoi se italianët, dikur mbështetësit më të madh të BE-së, janë thellësisht të zhgënjyer nga unioni. Arsyet për rebelimin fillojnë me ekonominë që ka mbetur pas në vitin 2008, papunësinë e lartë e të rinjve, emigrimin masiv nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe përfundojnë me dështimin e plotë të klasës politike të Italisë, e cila nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse ka mbushur xhepat. Por sipas Salvinit, qeveria e re ka arritur të bëjë një ndryshim dhe ka arritur një përparim të jashtëzakonshëm në tre muaj e parë në pushtet.

“Kur bëhet fjalë për punësim, taksa dhe pensione, në vjeshtë ne do të paraqesim si qeveri të re planin tonë, me një drejtim të ri, me ndryshim, me rritje. Prandaj unë nuk shqetësohem për shifrat për këtë fazë. Ne po punojmë që tani për rritje, e cila në fund pritet të shtohet edhe më shumë”, shprehet ai.

Kryeministri Xhuzepe Konte, Mateo Salvini dhe Luigi di Maio 

Si Salvini, ashtu dhe aleatët e tij nga Lëvizja Pesë Yjet erdhën në pushtet duke premtuar ndryshime të mëdha, edhe pse asnjëra palë nuk ka përvojë të mjaftueshme për të qeverisur një vend. Në 100 ditët e para të qeverisë, kryeministri Giuseppe Conte nuk ka qenë pothuajse fare i pranishëm, duke bërë që Salvini të konsiderohet në fakt si lideri “de fakto” i Italisë. Marrëveshja për zgjedhjen e Contes, një professor 53 vjeçar, pa përvojë të mëparshme politike, u arrit vetëm pas tërheqjes së Berluskonit, duke sinjalizuar se mes dallimeve ideologjike të bashkëpunëtorëve të tij, Conte nuk do të jetë një kryeministër i vërtetë, por një lajmëtar që pati fatin të ulej në fron. Por i pyetur nga “DW” për marrëdhënien e tij me Kryeministrin, Salvini thotë se ai dhe Conte janë dy personalitete shumë të ndryshme.

 “Ai është njeri i pajtimit dhe i dëgjimit. Ai vizitoi Donald Trumpin. Ai do të udhëtojë në Kinë. Ai merr pjesë në takimet evropiane të nivelit të lartë”, shprehet Salvini. “Unë dhe Luigi di Maio (nga lëvizja "5 yje") jemi zëvendëskryeministra. Ne jemi kryetarë partish. Prandaj është e qartë që ne për shkak të karaktereve dhe roleve tona jemi më të pranishëm si tendencë, por ne jemi ekip i mirë”, shton ai.

I pyetur ndër të tjera nëse qeveria e tij do të rezistoje edhe një vit tjetër, Salvini shprehet se: “ Po, unë besoj se kjo qeveri do të rezistojë gjatë, po t'u kushtojë vëmendje detyrimeve, të cilat na i kanë dhënë si detyrë italianët. Jam i kënaqur që më në fund mund të bashkëvendos, atë që ndodh. Duhet të përballojmë sfida të mëdha, por thjesht isha ngopur së ndenjuri në opozitë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë