Mendim

‘Elita e biznesit në Shqipëri duhet t’i nënshtrohet transformimit rrënjësor’


Nga Adrian Civici* - Ndryshimi i elitave të biznesit në Shqipëri, kategori ku nënkuptohen pronarët e kapitaleve dhe bizneseve si dhe CEO-t dhe drejtues të tjerë të nivelit të lartë vendimmarrës të cilësuar shpesh dhe “jakat e bardha”, është një domosdoshmëri apo nevojë e domosdoshme për të patur, në kuptimin e gjerë të fjalës, një korpus apo strukturë biznesesh sa më cilësore e performante

Çdo aspekt i jetës dhe shoqërisë është vazhdimisht nën ritmin e ndryshimeve të vazhdueshme ekonomike, politike, teknologjike, gjeopolitike e gjeoekonomike, etj., përfshirë këtu dhe bizneset, mënyrën e organizimit e funksionimit si dhe objektivat e tyre të performancës.

Në këtë këndvështrim, drejtuesit e lartë apo menaxherët kryesorë që përbëjnë elitat e biznesit në Shqipëri, duhet t'i nënshtrohen detyrimisht “logjikës së progresit e ndryshimeve”.

Kur thuhet ndryshim, nënkuptohet dhe transformimi rrënjësor.

Arsyet kryesore të ndryshimit të elitave të biznesit lidhen apo kushtëzohen nga një sërë faktorësh të tillë si :

- Rezistenca frenuese e mjaft drejtuesve të lartë kundrejt ideve të reja bashkëkohore në biznes, të cilët e kanë të vështirë, shpesh të pamundur, që të bëhen inisiatorë të ndryshimeve radikale në modelet e biznesit;

-  Formimi profesional dhe menaxherial i mangët ose i pamjaftueshëm në raport me zhvillimet dhe sfidat e reja të bizneseve;

- Aftësia e kufizuar për të kuptuar zhvillimet teknologjike dhe aplikimin sa më të shpejtë e të gjerë të tyre në aktivitetet e tyre të biznesit; administrimi dhe qeverisja e bizneseve në cilësinë e pronarit “që di gjithçka” dhe ka “të drejtë të vendosë për gjithçka” duke neglizuar drejtimin dhe menaxhimin nga ekspertët dhe specialistët e mirëfilltë të sektorit përkatës;

- Vështirësitë për të ndryshuar një mentalitet e praktikë negative drejtimi që bazohet e përfiton nga informaliteti, klientelizmi politik e qeverisës, pozita monopol në treg, tendera e financime shtetërore të paracaktuara, dominim mediatik, etj.

Për të gjitha këto arsye, që besoj se manifestohen gjerësisht në elitat aktuale të biznesit në Shqipëri, nevoja për ndryshimin apo transformimin radikal të një pjese të tyre është domosdoshmëri.

*Adrian Civici, doktor në shkencat ekonomike dhe doktor në Ekonomi Agrare. Rektor në Universitetin "Mesdhetar i Shqipërisë"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë