Më shumë se 450 mijë njerëz mund të vdesin nga nxehtësia shtesë e shkaktuar nga një fenomen jashtëzakonisht i fuqishëm El Nino gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, sipas një vlerësimi të shkencëtarëve të klimës.
Pasojat pritet të ndihen nga Azia dhe Afrika deri në Amerikën e Veriut. Ndër vendet që mund të preken më rëndë janë Nigeria, Indonezia, Sudani, India dhe Brazili, ndërsa Shtetet e Bashkuara parashikohet të regjistrojnë rreth 3,500 vdekje shtesë nga nxehtësia.
Shkencëtarët paralajmërojnë se numri i viktimave mund të jetë edhe më i madh, pasi El Nino mund të sjellë gjithashtu thatësira, zjarre dhe përmbytje, duke dëmtuar bujqësinë dhe furnizimet ushqimore.
Fenomeni El Nino është një dukuri natyrore që ndryshon përkohësisht modelet klimatike globale. Megjithatë, ndryshimet klimatike po e bëjnë situatën më të rrezikshme, pasi fenomeni po zhvillohet mbi një planet tashmë shumë më të ngrohtë.
Studiuesit e kanë cilësuar këtë El Nino si një ngjarje të jashtëzakonshme, me intensitet që është krahasuar me të ashtuquajturin fenomen “Godzilla”. Vlerësimi për mbi 450 mijë vdekje mbulon periudhën nga shtatori deri në shkurt 2027, ndërsa ndikimet e nxehtësisë mund të vazhdojnë edhe gjatë muajve të pranverës dhe verës.
Sipas studiuesve, parashikimi i hershëm mund të ndihmojë në shpëtimin e jetëve. Masat përfshijnë sisteme më të mira paralajmërimi për temperaturat ekstreme, qendra ftohjeje, forcimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjen e punëtorëve që ekspozohen ndaj temperaturave të larta.
Vlerësimet janë bazuar në të dhëna nga më shumë se 24 mijë rajone në mbarë botën, duke analizuar lidhjen midis temperaturave dhe vdekjeve të shkaktuara nga nxehtësia.
Por El Niño nuk kërcënon vetëm shëndetin. Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se ndikimet e fenomenit mund të shtyjnë rreth 50 milionë njerëz drejt urisë akute dhe të rrisin çmimet e ushqimeve.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ajo që po ndodh tani mund të jetë një paralajmërim për të ardhmen. Temperaturat ekstreme që sot konsiderohen të jashtëzakonshme mund të bëhen më të zakonshme në dekadat e ardhshme nëse ngrohja globale vazhdon.
El Niño do të largohet, por sfida kryesore mbetet ndryshimi klimatik. Sa më i ngrohtë të bëhet planeti, aq më të rënda mund të jenë pasojat e fenomeneve ekstreme klimatike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje