Lumenjtë në mbarë botën përjetuan në vitin 2025 një nga periudhat më të thata të tre dekadave të fundit, sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) mbi burimet globale të ujit.
Studimi tregon se sasia e ujërave të ëmbla të ruajtura në tokë dhe nëntokë, përfshirë ujërat nëntokësore, liqenet, lumenjtë, borën dhe akullin, ishte rreth 42% nën normalen në nivel global.
Kriza klimatike po e bën ciklin e ujit gjithnjë e më të paparashikueshëm, duke sjellë kalime të shpejta nga thatësirat ekstreme te përmbytjet. Në vitin 2025, vetëm rreth një e treta e lumenjve kishin prurje normale, ndërsa 36% e sipërfaqes së pellgjeve lumore në botë kishin prurje nën ose shumë nën normalen.
Celeste Saulo, sekretare e përgjithshme e WMO-së, tha se njerëzimi po “zbraz llogarinë e kursimeve” të ujit, pasi rezervat globale ujore tokësore kanë shfaqur një rënie të vazhdueshme që prej viteve 2014-2016.
Edhe akullnajat po humbasin masë. Për të katërtin vit radhazi, të 19 rajonet kryesore akullnajore në botë regjistruan humbje akulli.
Pasojat për njerëzit dhe ekonominë
Thatësirat, ndotja dhe mbishfrytëzimi po ushtrojnë presion të madh mbi sistemet lumore. Në disa zona, mungesa e ujit ka prekur drejtpërdrejt edhe prodhimin e energjisë.
Gjatë verës, nivelet rekord të ulëta të Danubit detyruan pothuajse të gjithë reaktorët bërthamorë në Hungari dhe Rumani të ndalonin, pasi lumi nuk kishte ujë të mjaftueshëm për ftohjen e tyre.
Ndërkohë, lumenj të rëndësishëm si Amazona, Nili, Nigeri dhe Zambezi po përballen me thatësira, ndotje dhe dëmtime të ekosistemeve.
Sipas WMO-së, gjatë periudhës 2021-2025, prurje nën normalen u regjistruan vazhdimisht në pjesë të mëdha të Amazonës dhe Amerikës së Jugut, Amerikës së Veriut, Afrikës, Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme. Shërbimet meteorologjike në mbarë botën kanë raportuar ndërkohë rekorde të reja si për përmbytjet, ashtu edhe për thatësirat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje