Rend dhe Ligj

Vritet biznesmeni i ndërtimit në Himarë. Autori: I kam dhënë tokën, s’më ka dhënë lekët

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Himarën mëngjesin e kësaj të shtune.

Mësohet se ndërtuesi Niko Goro, djali i xhaxhait të kryebashkiakut, Jorgo Goro, është ekzekutuar me armë zjarri në shëtitoren e Himarës. Ndërkohë, Policia në kohë rekord ka kapur autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit.

Autori është Kliti Leka, 53 vjeç, banues në Tiranë.

Policia ka sekuestruar armën e dyshuar të krimit, armë zjarri kallashnikov dhe automjetin me të cilin u largua autori.

Ndërkohë, është zbardhur edhe dëshmia e autorit, Kliti Leka, i cili mëngjesin e sotëm ka ekzekutuar bizmesmenin Niko Goro.

“I kam dhënë tokën nuk më ka dhënë lekët. Po ndërton në tokën time”, mësohet të ketë thënë Leka para uniformave blu. Leka është banues në Tiranë, por është nip në Himarë (ka dajat nga Himara) dhe për këtë tokë pretendon se e ka të trashëguar.

Dyshohet se shkak i këtij konflikti ka qenë një borxh prej 70 mijë eurosh që biznesmeni Niko Goro i kishte Kliti Lekës. Ndërkohë, mësohet se Kliti Leka, me profesion elektricist i kishte bërë rrjetin elektrik në pallatin e ndërtuar nga Niko Goro, por ky i fundit nuk e ka paguar për punën e bërë. Për pasojë, sherri mes tyre ka agravuar deri në ekzekutimin e 51-vjeçari.

Policia në njoftimin e saj zyrtar tha se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08.55 minuta në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille Himarë.

51-vjeçari Niko Goro ishte i shoqëruar nga motra e tij kur persona të paidentifikuar ende kanë qëlluar në drejtim të tyre me armë zjarri.

Si pasojë është plagosur lehtë në këmbë edhe shtetasja E. Q., 57 vjeçe, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Himarë – Borsh e Himarë – Vlorë.

Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat Operacionale dhe Shqiponjat e DVP Vlorë.

Duket se qenë një goditje e përqendruar, që tregon se objektiv ka qenë vetëm biznesmeni. Niko Goro ishte një sipërmarrës i njohur në Himarë, pasi kishte një bar-restorant dhe një hotel.

Atentatori ka studiuar lëvizjet e viktimës, pasi ai çdo mëngjes bënte shëtitje në këmbë. Ai i ka bërë pritë Goros pranë një marketi dhe është larguar me shpejtësi me mjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë