Ka ndodhur

Ekstradohet nga Greqia anëtari i Bandës së Cërrikut në trazirat e vitit 1997

Një 50-vjeçar, i dënuar me 20 vite burg për disa vepra penale në kohën e trazirave të vitit 1997, është ekstraduar nga Greqia në Shqipëri.

Bëhet fjalë për shtetasin Bashkim Buzani, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2005 nga Gjykata e Elbasanit, e cila e ka dënuar me 20 vjet burg, për veprat penale “Organizatë kriminale” në formën e pjesëmarrjes  në organizatë kriminale, “Vjedhja me armë” dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim. 

I ekstraduari është arrestuar në Greqi, për llogari të autoriteteve greke, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe Gjykata e Apelit Selanik, me vendimin e datës 12.10.2005, e ka dënuar me 16 vjet burg.   

Pas kryerje së dënimit për llogari të autoriteteve të drejtësisë greke, u bë ekstradimi i tij drejt vendit tonë. Në trazirat e marsit të vitit 1997, Bashkim Buzani ka qenë anëtar i një bande të armatosur.  Fillimisht grupi i armatosur u krijua në lagjen nr.3 në Cërrik, me qëllim mbrojtjen e tyre nga një bandë tjetër.

Më pas, me kalimin e kohës, duke marrë tiparet e një grupi të armatosur me një formë bashkëpunimi të veçantë prej shumë vitesh, anëtarët e grupit kryenin vepra të ndryshme si vrasje dhe grabitje me armë.

Ky grup grabiste dhunshëm furgonat me refugjatë që vinin nga Kapshtica, duke zbritur në tokë refugjatët, të cilët i rrihnin dhe i poshtëronin.  

Gjithashtu, shtetasi Bashkim Buzani, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit, ka grabitur disa banesa dhe lokale të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë