Biznes

Eksportuesit dhe fasonët duan ndihmë nga qeveria, por nuk dinë se çfarë!

Nga Gazeta 'SI' - Kriza në industrinë e fasonëve dhe eksporteve shqiptare po thellohet duke i çuar këto biznese drejt falimentimit final, për shkak të mbiçmimit të vazhdueshëm të lekut.

Në një konferencë për media, kreu i ProEksport Albania, PEA, Edvin Prençe tha se bizneset e kësaj industrie po orientohen drejt mbylljes apo largimit, pas qeveria nuk ka bërë asnjë lloj reagimi. Shenja e parë është ai i largimit të punonjësve.

“Ne po humbim 50 punonjës në ditë nga kjo problematike. Që nga marsi i këtij viti kemi patur rënie dyshifrore çdo muaj. Ne jemi të vetëm. Dialogu nga ana e qeverisë ka ndaluar. Ne po humbasim konkurrueshmërinë”, u shpreh Prençe.

Më tej ai shtoi se në vlerë monetare, humbjet e eksportuesve llogariten rreth 150 euro për çdo punonjës, në këto 8 muajt e fundit.

Prençe, bashkë me kreun e shoqatës së eksportuesve vendas, Florian Zekja, treguan se marrja e masave në kohë për eksportuesit dhe fasonët, nuk mbron vetëm këtë biznes, por ka një impakt social shumë të madh.

“Impakti social do të jetë shumë i rënë. Ne jemi të shtrirë dhe në zonat rurale ku nuk ka biznese të tjera dhe shumë prej banorëve aty punojnë në fasoneri. Çfarë do të ndodhë me këto njerëz. Rrezikohen 75.000 vende pune”, thanë përfaqësuesit.

Pyetur nga gazetarët se çfarë masash i sugjerojnë ata qeverisë në mbrojtje të eksporteve, Zekja tha se “kjo është përgjegjësi e tyre dhe jo e jona. Ne duam kompensim dhe jo lëmoshë”.

Më tej, përfaqësuesit e industrisë treguan dhe letrën e radhës që i kanë dërguar ministrit të Financave Ervin Mete dhe asaj të Biznesit, Delina Ibrahimaj.

Në letër, ata i kërkojnë qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë vazhdimin e dialogut dhe ofrimin e një pakete Manifakturë të propozuar nga PEA e cila do të mundësonte orientimin dhe kalimin e sektorit në prodhues konkret Made in Albania.

Ndërkohë, në një takim gjatë shtatorit,  me Delina Ibrahimajn, kur shërbente akoma si ministre e Financave, shoqatat e eksportit vlerësuan masat e marra deri tani nga qeveria shqiptare, për të reduktuar efektet e luhatjeve të kursit të këmbimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë