Treg

Kriza e euros / Eksportuesit: Protesta në janar, po falimentojmë. Në 2 javë u pushuan 20 mijë punëtorë

Nga Gazeta ‘Si’- Shoqatat eksportuese, të gjendura në prag falimentimi përballë tatëpjetës së euros dhe mungesës së një përgjigje nga qeveria, paralajmërojnë protesta në fillim të vitit të ardhshëm.

Rënia e vlerës së shitjeve nga forcimi i lekut, humbja e konkurrueshmërisë dhe kostot e ndikuara nga inflacioni po i dëmtojnë bizneset e eksportit. Nga të gjithë sektorët, më i dëmtuari mbetet ai fason në të cilin janë të punësuar mbi 75 mijë persona.

Kriza e largimit të punonjësve në këtë sektor, për të cilën Gazetasi.al ka shkruar muaj më herët, tani është thelluar ndjeshëm dhe bilancet në shifra janë rënduar.

Edvin Prençe, kreu i shoqatës “Pro Export” deklaron se vetëm në dy javë, janë larguar nga sektori rreth 20 mijë punonjës, duke e konsideruar këtë një shifër të frikshme.

Në vlerë monetare, ai deklaron se humbjet e eksportuesve llogariten rreth 150 euro për çdo punonjës, në këto 8 muajt e fundit.

Prençe deklaron se vetëm në dy javë, janë larguar nga sektori rreth 20 mijë punonjës

Eksportuesit, ndërsa shprehen se është e nevojshme që të maten realisht ndikimet dhe efektet e kësaj situate në ekonomi, në jetën sociale dhe në buxhetin e shtetit, vërejnë gjithashtu se insituticionet kanë një dobësi për të përballuar raste të tilla nëpërmjet krijimit të fondeve të posaçme për t’u përdorur për periudha krizash.

Megjithatë, si masë e parë dhe urgjente, ata kërkojnë vazhdimin e tavolinave teknike dhe gjetjen e zgjidhjeve për kapërcimin e situatës.

I pyetur nga Gazetasi.al në lidhje me masat që kanë marrë vetë kompanitë fason për t’u mbrojtur nga zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros, ai u shpreh se masat që ata kanë në dorë janë të pakta.

Kompanitë fason punojnë duke lidhur “Kontrata me Porosi”, ku caktojnë paraprakisht çmimin për porosinë e tyre. Pas përcaktimit të çmimit është i vështirë rinegocimi me porositësit. Në rast se kompanitë rrisin çmimet, ata përballen menjëherë me rrezikun e humbjes së klientëve dhe uljen e volumeve tregtare.

Në një situatë të tillë ata nuk mund të bëjnë asgjë tjetër përveçse të amortizojnë humbjet te fitimet e tyre.

“Masat që ne personalisht si biznese mund të marrim nuk janë shumë pasi po flasim për biznese që tashmë kanë kontrata të firmosura prej kohësh me ndërkombëtarët dhe është e vështirë që të kërkosh herë pas here rritje ose rishikim të çmimit. Konkurrentët tanë në vende si Maqedonia apo Serbia janë të mbrojtur dhe të mbështetur nga shtetet e tyre. Rreziku që firmat e huaja të cilët bashkëpunojnë me ne të largohen drejt këtyre vendeve është tepër i lartë”, deklaroi ai për Gazetasi.al.

Po njësoj, në vështirësi janë edhe shoqatat eksportuese të bimëve mjekësore.

Kreu i Shoqatës, Filip Gjoka deklaroi se tashmë 30% e kompanive që merren më përpunimin dhe eksportin e këtyrë bimëve, janë drejt falimentimit.

Edhe INSTAT në të dhënat për muajin nëntor raportoi se eksportet u tkurrën deri në 22%. Tkurrja vijon tashmë për të tetin muaj radhazi.

Në këtë njëmbëdhjetëmujor ata arritën vlerën e 403 mld lekëve, duke u ulur me 9.8 %, krahasuar me një vit më pare ku grupi i ‘Tekstileve dhe këpucëve’ kontribuoi në rënie me 5.7%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë