Treg

Eksportet tejkalojnë me 11.8% nivelin e parakrizës për 5-mujorin

Eksportet vijuan të shënonin rritje të ndjeshme edhe në muajin maj duke rikuperuar humbjet e shkaktuara gjatë pandemisë kur karantina në të gjithë Europën dëmtoi rëndë të gjithë shitjet jashtë vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë në maj të këtij viti, duke u rritur me 52,7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 14,5%, në krahasim me muajin prill 2021.

Eksportet janë rritur me 18.4% edhe në krahasim me majin e 2019 duke tejkaluar nivelet para pandemike.

Për pesë mujorin, eksportet u rritën me 38.6% me bazë vjetore, duke arritur në 141.8 miliardë lekë. Edhe në raport me pesë mujorin 2019, tendenca është sërish në zgjerim, me +11.8%.

Grupi i tekstileve dhe këpucëve  i cili është dhe grupi kryesor në vend, me 32% të totalit, vijon ende që të vuajë pasojat.

 Ndonëse me rritje prej 17.6% për 5 mujorin në raport me janar-maj 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 11.6% më të ulëta në raport me 5 mujorin normal të 2019-s.

Megjithatë rihapja graduale e Europës me fillimin e verës ka rritur shpresat për sektorin.

Gjithsesi, eksportuesi parashikojnë një situatë të vështirë për sektorin deri në fund të vitit, ku më e lartë rënia e kërkesës ka qenë për industrinë e këpucëve.

Ecurinë më të mirë po e shënojnë eksportet e metaleve, si rrjedhojë e kërkesës së fortë dhe shtrenjtimi të ndjeshëm të çmimeve.

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 20% të totalit) u rritën me 100.9%, ndërsa janë 37% më të larta edhe se janar-maj 2019-a.

Prodhuesi i çelikut, Kurum, që është eksportuesi më i madh në vend po mundohet t’i përgjigjet një kërkese që është në nivele rekord, si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm, dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje.

Tendenca pozitive ka vijuar edhe për mineralet, Lëndët djegëse e energjinë, që është rritur me 76.4% për 5 mujorin në raport me 2020-n, dhe 38.5% në krahasim me të njëjtën periudhë 2019.

Grupi i ushqime pije dhe duhan ka vijuar tendencën pozitive të nisur prej tre vitesh, duke u zgjeruar me 13.7% për 5 mujorin. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza. Megjithatë në maj të këtij viti, eksportet ishin pak më të ulëta edhe se në maj 2020, kur ekonomia globale ishte në ngërç prej karantinës

Me ecuri pozitive ishin dhe makineritë pajisjet e pjesët e këmbimit, shitjet e të cilit u rritën me 25.8% në raport me 5 mujorin 2020 dhe 28.8% në raport me të njëjtën periudhë 2019.

Në muajin Maj 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Maj 2020 janë: Italia (45,4 %), Kosova (102,0 %) dhe Spanjë (5,2 herë). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (27,7 %), Mbretëria e bashkuar (59,7 %) dhe Ukraina (85,7 %).

Gjatë këtij pesëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (32,5 %), Kosova (72,2 %) dhe Spanja (30,2 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Mbretëria e Bashkuar (29,4 %) dhe Ukraina (35,5%).

Në muajin Maj 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Maj 2020 janë: Italia (41,9 %), Turqia (51,4 %) dhe Greqia (5,7 herë).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Zvicra (34,1 %) dhe Ukraina (69,2 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Rusia (15,3 %), Zvicra (15,5 %) dhe Ukraina (32,0 %). Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 61,5 %, të gjithë tregtisë. Në Maj 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 69,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 56,9% të importeve gjithsej


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë