Treg

Eksportet rikuperuan karantinën, rekord edhe për 2019-n

Ky moment I vërejtur në gusht deri diku ishte I pritshëm për shkak të një rritje që kishte nisur disa muaj më parë.

Rritja më e fortë u shkaktua nga dy grupeve, “materiale ndërtimi e metale” dhe “minerale lëndë djegëse e energji”, të cilat u  favorizuara nga konjuktuara ndërkombëtare e rritjes së kërkesës dhe çmimeve. Të dy grupet kanë ndikuar në 70% të rritjes së eksporteve për 8 mujorin.

Eksportet e ushqimeve dhe ato të makinerive e pajisjeve po zgjerohen në mënyrë të  qëndrueshme, ndërsa tekstilet dhe këpucët mbeten të vetmet që janë më poshtë se niveli i 2019-n, madje në gusht të këtij viti ishin më të ulëta se në të njëjtin muaj të 2020-s, një tendencë që konstatohet për herë të parë gjatë këtij viti.

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me 31% të totalit), kanë vuajtur më shumë se gjithë grupet e tjera pasojat e karantinave të Europës dhe nga ndryshimi i sjelljes konsumatore. Ndonëse me rritje prej 10% për 8 mujorin në raport me janar-gusht 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 10.3% më të ulëta në raport me 8 mujorin normal të 2019-s.

Madje në gusht, eksportet e tekstileve e këpucëve ishin më të ulëta edhe se në të njëjtin muaj të 2020-s, duke u tkurrur me 22.3%.

Eksportuesit pohojnë se sektori po vuan nga mungesa e porosive të reja, si rrjedhojë e krijimit të stoqeve gjatë karantinës së zgjatur. Megjithatë rihapja graduale e Europës ka rritur shpresat për sektorin, ndonëse ekziston frika se mund të ketë mbyllje të reja pas përhapjes së variantit Delta.

Është ngadalësuar në gusht dhe rritja e grupit “makineri dhe pjesë këmbimi”. Në gusht, ky grup ra me 37.3% në krahasim me të njëjtin muaj të 2019-s megjithatë shitjet si 8 mujor u rritën me 37.4% në raport me 8 mujorin 2020 dhe 22.7 % në raport me të njëjtën periudhë 2019. Ky sektor ka tërhequr vitet e fundit investime në fabrikat që montojnë kryesisht sisteme elektrike për automjete.

INSTAT raportoi se për 8 mujorin e parë 2021, eksportet arritën në 232.4 miliardë lekë, me një rritje prej 37.3 % në raport me janar-gusht 2020. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, rritja është rreth 16%.

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (24,9 %), Kosova (55,3 %) dhe Spanja (35,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (28,5 %) dhe Rusia (36,5 %).

Megjithatë kjo rritje rikupruese e eksporteve nuk ka mundur të ul deficitin tregtar. Ai arriti vlerën 254 mld lekë, duke u rritur me 22,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë