Treg

Eksperti: Skema për subvecionimin e naftës së fermerëve e dështuar. Qeveria mendon për jahtet

Eksperti i bujqësisë Ervin Resuli shprehet për Gazetën “Si” se skema për subvecionimin e naftës së fermerëve ka dështuar që pa nisur.

Sipas tij kjo skemë si fillim ka lënë jashtë 40 mijë fermerë dhe ata që do ta përfitojnë, e marrin më shtrenjtë se sa furnizohen jahtet në portet shqiptare.

“Fermerët fitues nga subvencionimi naftës e marrin me 85 lekë të reja  litri. Fermerët  që nuk përfituan nga skema, që janë rreth 40,000 fermerë, e marrin me 154 leke të reja litrin. Jahtet me ligjin shqiptar e marrin naftën të zhveshur nga të gjitha taksat, pra nafta e jahteve ka vetëm konston e naftës dhe fitimin e firmës dhe I referohet çmimit të bursës e cila si kalon 50 lek të reja litri”, thotë Resuli.

Qeveria shqiptare dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bënë një “skemë nafte” për të lehtësuar hallet e fermerëve, thotë ai, por pyet nëse ishte efektive kjo skemë apo jo?

“Ministria e Bujqësisë i dha tender një kompanie private prej 1 milion eurosh për Studimin e Fizibilitetit, 10 milionë euro të tjera tender për blerjen e naftës për fermerët  si edhe 1 milion euro shpenzime shtetërore, paga, kosto administrative etj. për ekzekutimin e kësaj skeme! Por sa naftë planifikon Ministria e Bujqësisë të shpërndajë me 10 milion euro  ÷ 1.3euro/ litri = 7,692,308 litra naftë”, tregon eksperti.

Ai bën me dije për “Si” se vetëm në 24 orët e fundit në portin e Sarandës janë funizuar 17 Yahte të mëdhenj që marin minimalisht 500,000litra  dhe mbi 20 të vegjël që marin minimalisht 100, 000 litra.

Në Portin e Sarandës janë tërhequr afërsisht 10,500,000 litra naftë, të zhveshura nga të gjitha detyrimet dhe taksat.

“E pra nafta për fermerët e gjithë vitit eshte ekuivalente e më pak se nafta që funizohen yahtet në 1 ditë. Në përllogaritjet e mësipërme nuk pëfrshihen portet e Vlorës, Durrësit e Lezhës.”- thotë ai.

Sipas të dhënave nga doganat, nafta e importit hynë në Shqipëri me çmim burse.

Në krye të herës, kur kreu I qeverisë Rama njoftoi lajmin e skemës së rimbursimit, u shpreh se “Çdo fermer që ka tokë në pronësi apo me qera dhe që e punon atë është përfitues potencial i kësaj skeme, duke u siguruar që të ketë NIPT-in e fermerit sipas procedurave aktuale, të cilën sot e disponojnë mbi 47 mijë fermerë dhe të bëjë aplikimin online për naftën falas. Shumë e thjeshtë, pa asnjë vështirësi dhe ngarkesë.”

Kjo sipas Ramës do të ishte rruga për ta formalizuar më tutje të gjithë procesin e transaksioneve në bujqësi dhe për të mbrojtur deri në fund, çdo fermer dhe prodhimin e çdo fermeri nga ata që janë më të mëdhenj në raport me të, në sensin e grumbulluesve apo shpërndarësve të prodhimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë