Keshilla

Eksperti i Harvardit: Njerëzit e suksesshëm praktikojnë përulësinë

Nga Gazeta 'Si' - Të gjithë, herët ose vonë, përballen me dështimin. Njerëzit më të suksesshëm përdorin përulësinë për ta marrë veten shpejt, sipas Charlene Li, eksperte lidershipi në Harvard.

“Ju nuk dini gjithçka. Dhe sepse nuk dini gjithçka, nuk mund të prisni që të keni të gjitha përgjigjet” – deklaroi së fundi Li, drejtor ekzekutiv me seli në San Francisko, në Podcast-in “The Path” të LinkedIn. “Kur të mundni, praktikoni përulësinë çdo ditë… “.

Nëse jeni nga ata që “i dini të gjitha”, mosarritja e objektivave mund të ketë pasoja shumë më të mëdha në egon dhe mirëqenien tuaj emocionale, sesa nëse e kuptoni se pengesat janë të natyrshme dhe duhet të mësoni prej tyre, tha Li. Kjo është më e thjeshtë të thuhet se të bëhet, në momentin që shumë njerëzve, kur janë të rinj, u mësohet të luftojnë për përsosmërinë.

“Jemi rritur me mendësinë që në shkollë duhet të marrim gjithnjë notën maksimale, gjë që do të thotë të jemi të përsosur, të marrim 100% në provime. Sistemi ynë arsimor nuk na nxit që të dështojmë… Por praktikisht është thuajse e pamundur të arrijmë gjithnjë 100% dhe të jemi gjithnjë të përsosur”.

Duke i parë të gjitha situatat si mundësi për të mësuar, si në rastin kur keni sukses ose jo, mund t’ju ndihmojë që të shmangni turpin ose sikletin që vjen nga të mosqenët gjithnjë në lartësi” – thotë Li.

Shiheni çdo dështim si “një pikë referimi”

Herët tjetër që nuk do të respektoni afatin apo gaboni në një projekt, shiheni situatën me objektivitet dhe mblidhni informacione me qetësi: Çfarë nuk shkoi si duhet? Si mund të përmirësoheni herën tjetër?

Duke parë mangësitë tuaja si të dhëna mund t’ju ndihmojë të përmirësoheni dhe të merrni vendime të ndryshme në të ardhmen. “Dështimi është një e dhënë – thotë Li. – Nëse objektivi juaj ishte të arrinit në pikën X dhe nuk ia dolët, atëherë do të kuptoni se çfarë boshllëku duhet të plotësoni për të arritur aty ku dëshironi”.

Li iu referua kësaj duke e parë situatën me “barazi”.

“Ju po e hiqni atë barrë emocionesh dhe po shikoni realitetin se ku jeni. Më pas mund të ecni përpara”, tha Li. “Por nëse ndieni turp dhe siklet përbrenda, atëherë po mbani një peshë më shumë”.

Kini në krah një mbështetje “të fortë”

Edhe njerëzit më të përulur mund të provojnë stres si përgjigje ndaj një dështimi.

Dhe këtu hyn në lojë sistemi juaj i mbështetjes. Të pasurit në krah të miqve, familjarëve ose edhe kolegë mund t’ju krijojë një hapësirë të sigurt për të përballuar emocionet tuaja, pa gjykuar, për t’ju dhënë këshilla se si të ecni përpara.

“Të kesh një sistem të fortë ku të mbështeteni është i rëndësishëm” – thotë Li.

Sipas një raporti të vitit 2026 të World Psychiatry, revista zyrtare e Shoqatës Botërore të Psikiatrisë, mbështetja sociale është një parashikues i fortë i qëndrueshmërisë psikologjike. Efikasiteti i saj mund të variojë nga lloji i ndihmës së dhënë nga një person dhe marrëdhënia që keni me të – lexohet në raport.

Në çdo rast, të pasurit e disa njerëzve të cilëve mund t’u drejtoheni për mbështetje mund t’ju ndihmojë në krijimin e një perspektive të rëndësishme dhe përmirësimin e humorit tuaj.

“Ka ditë kur, pavarësisht se çfarë bëni për t’u përgatitur, thjesht do të ndiheni keq, – thotë Li. – Të kesh njerëz në krah do t’ju ndihmojë kur ‘ndodh më e keqja’”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë