Ne rrjet

Ekspertët: BE të flasë më emra konkretë për kapjen e shtetit në Ballkan!

“BE duhet të thjeshtësojë dhe përmirësojë procesin e anëtarësimit dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të flasë hapur dhe me emra të përvecëm për kapjen e shtetit”. Kjo ishte thirrja e shumë ekspertëve të mbledhur të enjten dhe të premten në Poznan për samitin e Ballkanin Perëndimor.

Ekspertët dërguan mesazhe të ndryshme mbi efektivitetin e politikës aktuale të BE-së në rajon dhe rekomandimet për të përshpejtuar integrimin e rajonit. Megjithatë ranë dakord në një gjë :BE-ja duhet të flasë hapur dhe me emra konkretë për kapjen e shtetit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Sundimi i ligjit duhet të mbetet prioriteti përfundimtar kur është fjala tek zgjerimi. Nuk duhet të ketë stabilitokraci dhe asnjë mbështetje për të fuqishmit. BE duhet të emërojë në mënyrë eksplicite ata që shkaktojnë kapjen e shtetit" tha Vladimir Međak, nënkryetar i Lëvizjes Evropiane të Serbisë.

Me mesazhin e tij u pajtua edhe Maciej Popowki, Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimit në Komisionin Europian duke bërë thirrje BE të flasë me emra për kapjen e shtetit dhe sundimin e ligjit.


“Sjellja jodemokratike po tolerohet nga BE-ja për hir të stabilitetit, por kjo gjë duhet të ndryshojë nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duan të transformohen, stabilizohen dhe integrohen siç duhet në BE ", deklaroi ai.

Sipas Bankës Botërore, “kapja e shtetit ndodh kur elita qeverisëse ose biznesmenët e fuqishëm “kapin” ose përcaktojnë politika për të ndryshuar ligjet dhe rregullat në avantazhin e tyre. Kapja e shtetit është forma më e lartë e korrupsionit e karakterizuar nga aleanca sekrete. Ai mund të shfaqet në dy forma: kapjen e korporatave shtetërore për përfitime private dhe kapjen e partive politike po për përfitime private.


Pavarësisht angazhimit të dyanshëm, një pjesë e madhe e masave teknike dhe normative të zbatuara nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për hir të përparimit të vendeve të tyre drejt BE-së nuk kanë sjellë reforma thelbësore. Në të vërtetë, standardet demokratike të vendeve të rajonit mbeten po njësoj. Bashkimi Europian është i vetëdijshëm për këtë, por deri më tani ka vendosur të bëjë një “sy qorr”.

Shumë ekspertë rajonalë thonë se Ballkani ka nevojë për një BE që nxjerr në pah publikisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë problemet e rajonit. Ata thonë se kapja e shtetit nënkupton një gjendje të korrupsionit të përhapur dhe shfrytëzimin e burimeve publike për përfitime private, duke neutralizuar mekanizmat e kontrollit, qoftë me mjete ligjore qoftë në mënyrë të paligjshme.

Jelena Pijic, analiste serbe thotë se megjithëse raportimi brenda procesit të pranimit në BE tashmë është mjaft voluminoz dhe kompleks, disa nga raportet nuk janë në dispozicion të publikut dhe ato që publikohen përdorin fraza diplomatike dhe formulime të kujdesshme që nënkuptojnë kapjen e shtetit, por nuk i referohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në Serbi partia në pushtet po shet interesat e saj si interesa publike (dhe kombëtare); proceset themelore demokratike, si zgjedhjet dhe puna e parlamentit kontrollohen nga shteti, drejtësia dhe administrata publike janë bërë gjithnjë e më të politizuara; politikanët në pozita të larta akumulojnë kompetenca diskrete; liria e mediave nuk ekziston; përfaqësuesit e opozitës, shoqëria civile, institucionet e pavarura, akademia dhe gazetarët që shprehin kritika ndaj politikave zyrtare anashkalohen dhe sulmohet”, thotë ajo. “Më alarmues është fakti se këto sulme ndaj demokracisë ndodhin ndërkohë që negociatat vazhdojnë, edhe pse nuk ka pasur reforma thelbësore. Përkundrazi, qeveria duket se po vepron nën maskën e negociatave”, thekson Pijic.

Ndërkohë të tjerë ekspertë thonë se BE duhet të veprojë me të gjitha vendet e rajonit ashtu siç veproi në Maqedonine, pas kapjes së shtetit nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Pas përgjimeve të urdhëruara nga qeveria, të cilat zbuluan shumë praktika korruptive të partisë në pushtet, duke përfshirë ndërhyrjen në punën e gjyqësorit, manipulimin e procesit zgjedhor, shtrëngimin e kontrollit mbi mediat dhe mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë, BE-ja mori masa të rrepta.

Së bashku me ndërmjetësimin diplomatik midis aktorëve politikë në Maqedoni, Brukseli mblodhi një grup ekspertësh të pavarur, të udhëhequr nga ish-drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Reinhard Priebe për të identifikuar çështjet sistematike të Sundimit të Ligjit në vend. Ky hetim çoi në të ashtuquajturin “Raporti Priebe”. Ekspertët e pavarur nga vendet anëtare të BE-së ishin më të sinqertë në identifikimin e problemeve të demokracisë dhe nuk ishin aq formal sa raportet e zakonshme të BE-së. Sidoqoftë, fakti që “Raporti Priebe” u porosit dhe u publikua nga Komisioni Europian i ka dhënë autoritet të madh.
Dokumenti identifikoi sektorin e sigurisë si një levë e rëndësishme e kapjes së shtetit. Ai vuri në dukje përqendrimin e fuqisë në shërbimin e inteligjencës maqedonase i cili vepronte në mënyrë të shfrenuar dhe pa mbikëqyrje. Autoritetet përgjegjëse nuk kishin përdorur kompetencat e tyre të kontrollit dhe mbikëqyrjes, sepse ishin politizuara.

Për Pijic raportet si ai Priebes, janë të domosdoshme për çdo vend të Ballkanit Perëndimor dhe mund të shërbejë si një model për të tejkaluar monitorimin teknik të BE-së. Një raport i pavarur i ekspertëve i mbështetur nga Komisioni Evropian mund të jetë një përgjigje adekuate ndaj nevojës për një monitorim më efektiv të reformave të sundimin e ligjit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë