Keshilla

Ekspertët: Fëmijëve mund t’u flitet për luftën por duke përdorur një gjuhë të thjeshtë

Nga Sorgena Leka- Në kohën që jetojmë, me lajmet që vijnë direkt sado larg të jemi me vendet përkatëse, fëmijët shpesh herë janë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të asaj që po ndodh duke parë imazhe apo dhe duke dëgjuar bisedat e pashmangshme nga të rriturit. A duhet t’u flitet fëmijëve për luftën dhe si mund t’u përgjigjen prindërit 1001 pyetjet që mund të kenë ata këto ditë?

Mariglena Muçi, psikologe thotë për Gazetasi.al se edhe pse shumica e prindërve mundohen të shmangin përballjet e fëmijëve me këto lajme, ekspozimi i tyre ndaj teknologjisë (ipad, telefon, tv) dhe rrjeteve sociale e bën të pamundur. Ata dëgjojnë çdo ditë dhe natyrshëm u lindin pyetje rreth luftës.

Psikologe Mariglena Muçi, Gazeta Si, 28 shkurt, 2022

“Kështu, prindërit, mësuesit, psikologët duhet të marrin pozicionin e duhur për tu shpjeguar emocionet dhe komplekset e luftës”, thotë Muçi.

Së pari e rëndësishme është të theksojmë a duhet të flasim me fëmijët për luftën?

“Shumë studiues mendojnë se nuk duhet të flasim me fëmijët për luftën, veçanërisht kur ata pyesin ose kanë familjarë apo të afërm në ushtri”, thotë Muçi.

Gjithashtu duhet të merret parasysh edhe mosha e fëmijës pasi nuk mund të flasim njësoj me një fëmijë të vogël dhe me një adoleshent.

“Në raste të ndryshme, në varësi të temperamentit të fëmijës apo dhe të moshës, nivelit të tij të të kuptuarit, të botëkuptimit, ajo që duhet bërë gjithmonë është që të përpiqemi të jemi të sinqertë maksimalisht po pa i trembur”, thotë për Gazetasi.al Lorela Garuli, psikologe fëmijësh.

Garuli tregon se ka raste që fëmijët shqetësohen shumë dhe kjo lloj situate mund të sjellë shqetësim, ankth dhe të ngjalli edhe pasiguri. E mira është që imazhe nga lufta, nga qytetet që bombardohen të mos u tregohen fëmijëve. Nëse pyesin se çfarë është lufta mund tu tregohet me fjalë shumë të thjeshta, “që është një mënyrë shumë e gabuar për të zgjidhur konfliktet kur fjala nuk vlen më, kur diplomacia nuk vlen më”.

Nëse këtë pyetje e bëjnë fëmijë më të mëdhenj, Garuli tregon se mund t’u flitet për politikat, për marrëdhëniet midis shteteve.

“Normalisht nuk ka një mënyrë të vetme se si mund t’u tregojmë për luftën por e rëndësishme është që t’u tregohet me fjalë sa më të thjeshta dhe t’u thuhet se është një mënyrë shumë e gabuar veprimi”, thotë Garuli.

Lorela Garuli, psikologe fëmijësh, Gazeta Si, 28 shkurt, 2022.

Ndërkohë, Muçi tregon se është mirë të flasim me fëmijë mbi 8 vjeç për luftën. Por edhe nëse ata janë të vegjël 3-6 vjeç, “duhet ta bëni këtë bisedë vetëm nëse ata e kanë dëgjuar më parë këtë dhe ju pyesin, ndryshe nuk duhet të flisni”, thotë psikologia e cila shton se më parë duhet t’i shikoni dhe të dëgjoni se çfarë do iu tregojnë ata, çfarë dinë, ku e kanë parë ose dëgjuar dhe më pas t’u shpjegoni.

“Gjithmonë duhet të zgjidhni një gjuhë të thjeshtë dhe sa më të kuptueshme për fëmijët”, sqaron Muçi.

Tregojini përse zhvillohet lufta dhe cili është qëllimi i saj.

Për shembull, mund tu thoni se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës zhvillohet për të parë se kush do të jetë në krye të vendit. Një fëmije më të rritur mund ti thuhet që po zhvillohet për të përcaktuar pozicionin në politikën botërore. Imazhet e dhunshme, sjelljet agresive, kërcënuese “mund ti shpjegoni që shpesh zmadhohen dhe jo gjithmonë janë aq reale”.

Jepuni fëmijëve siguri duke iu treguar me një gjuhë të thjeshtë, se atë sjellje e bën një njeri i keq ose "një burrë që ishte shumë i zemëruar, por që policia e ndaloi dhe po punon që njerëzit të jenë të sigurt".

Muçi thotë se qëllimi është që fëmijët të ndihen të sigurt dhe jo të frikësuar, madje në raste të tilla mund tu jepni një përqafim dhe siguri se nuk do u ndodhë asgjë. Kjo shmang emocionet negative, frikën që mund të përjetojnë.

Gjithashtu, Muçi shpjegon se prindërit duhet të korrigjojnë çdo keqinformim ose përgjithësim negativ si për shembull, “rusët janë të këqinj ose ukrainasit".

Nuk duhet të përdoren përgjithësime të tilla pasi fëmijët mund të kenë shokë, shoqe me origjinë nga këto vende ose të afërm që jetojnë në këto vende dhe mund të përjetojnë frikë, ankth, izolim ose kërcënim.

“Jini të sinqertë dhe të drejpërdrejtë me fëmijët, por pa detaje të shumta. Shmagni detajet, informacionet e panevojshme, në mënyrë që fëmija të mos ndihet i frikësuar”, thotë Muçi.

Muçi gjithashtu shton se gjithashtu e rëndësishme është që para se të flisni me fëmijët për luftën, të reflektoni mbi gjendjen tuaj emocionale dhe pikëpamjet politike, morale, fetare etj. Kini parasysh, që të gjitha këto ndikojnë në mënyrën sesi reagoni sipas situatës, bisedës apo pyetjeve të fëmijës.

“Gjithashtu, është mirë që ti angazhoni fëmijët në aktivitete, lojra, lexim të librave etj., në mënyrë që të largoni vëmendjet nga lajme të tilla”.

Çfarë është lufta për fëmijët?

Psikologe Ariana Muça thotë për Gazetasi.al se lufta për fëmijët ka ngjyrime të ndryshme dhe kuptime emocionale të ndryshme. Fëmijët deri në 2 vjeç luftën e shohin si lojë, ku dikush duhet të fitoj dhe kjo sipas personazheve të lojrave që ata janë mësuar të imitojnë.

Ariana Muça, psikologe. Gazeta Si, 28 shkurt, 2022.

Prandaj, në moshën e tyre është e vështirë t’iu shpjegosh pasojat e rënda që sjell një luftë e vërtetë. Në fëmijërinë e mesme, mosha nga 7 deri në 11 vjeç, Muça thotë se prindërit e kanë më të lehtë të flasin për efektet negative të luftës pasi proceset mendore kanë filluar ti bëjnë ata të mendojnë më logjikisht për ngjarje konkrete dhe lufta është një e tillë ku ka të plagosur dhe të vrarë.

Duke parë fazat e zhvillimit, dhe gjuha që duhet të përdorin prindërit duhet të jetë në varësi të moshës. Fëmijëve ju duhet folur për pasojat por pa i trembur ata, “pasi stresi që do të përjetojnë do të reflektohet në një stres post traumatik i cili ka efekte afatshkurtra dhe afatgjata në mirëqenien e shëndetit mendor të fëmijëve”, përfundon Muça.

Po të rriturit në Shqipëri a e kuptojnë luftën?

Sociologe Entela Binjaku thotë se “që t´u shpjegosh fëmijëve luftën si fillim  duhet të jesh i sigurt edhe ti si i rritur për ato që thua”.

Binjaku shpjegon se as ne të rriturit nuk është se dimë shumë për luftën në përgjithësi dhe në rastin e Ukrainës as nuk dimë se çfarë të presim sepse e gjithë situata paraqet një pasiguri të madhe.

Në dallim nga shumë shoqëri të tjera europiane që me dekada nuk e njohin luftën, ne shqiptarët kemi argument të freskët luftën në ish Jugosllavi dhe në Kosovë veçanërisht. Ngjarjet në Kosovë i kemi përjetuar si komb dhe nuk e kemi fare të vështirë të imagjinojmë çfarë do të thotë pasojë lufte, shpjegon Binjaku. Sot fëmijëve është e vështirë tu shpjegohet edhe shërbimi ushtarak, të cilin as prindërit e tyre nuk e njohin,  sepse edhe ai nuk është më i detyrueshëm. Rastet e fëmijëve që jetojnë në familje ikjen e babait në luftë thuajse nuk i njohim, e para sepse as nuk imagjinohej më kjo gjë dhe e dyta sepse edhe ato familje që kanë familjarë në misionet ushtarake ku marrin pjesë edhe forcat shqiptare i njohim fare pak.

Sociologe Entela Binjaku, Gazeta "Si", 28 shkurt, 2022.

Sipas Binjakut, është e vështirë tu shpjegosh fëmijëve luftën sepse edhe të rriturve u është thëne se nuk ka më luftra si ato që shohim në filma por vetëm luftra kibernetike apo ekonomike. Në zhvillimet në Ukrainë po shohim tanke, shohim artileri, shohim avionë luftarakë etj, dhe duke qenë shtet europian, as të rriturit nuk e imagjinonin që këto pamje të ndodhnin në Europë. “Ndaj vështirësitë janë të ndryshme”.

Binjaku thotë se e rëndësishme është që të rriturit  të ruajnë qetësinë, të përcjellin mesazhet e qetësisë.  Për të qenë të tillë  ndonjëherë bëjnë mirë të mos ndjekin të gjithë fluksin e lajmeve që vijnë. Të ndjekin ato lajme që i kuptojnë dhe ato të shpjegojnë dhe jo ato që nuk i kuptojnë dhe krijojnë alarm. Të lexojnë sa më pak lajme apo informacione që i kanë të paqarta dhe vetë, të kuptojnë dhe tu shpjegojnë fëmijëve “se jemi ne që zgjedhim si të reagojmë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë