Mendim

Ekspertët amerikanë zbulojnë negociatat mes Thaçit dhe Vuçiçit

Presidenti Donald Trump e ka bërë të qartë se pret qe Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje brenda vitit 2019, edhe pse në fakt situata në terren nuk është aq e favorshme. Administrata Trump ka mbështetur ndryshimin e kufijve, ndërsa një sërë ekspertësh i kanë bërë thirrje Kongresit përgjatë viteve të fundit që të vëzhgojë nga afër qasjen e presidentit ndaj Kosovës.

Sipas tyre SHBA-ja po i bën presion një aleati të ngushtë amerikan për t'i dhënë një pjesë të territorit kundërshtarit të saj historik. Në një shkrim të publikuar së fundmi, analisti i njohur Kurt Bassuener i bën thirrje Kongresi Amerikan që të shqyrtojë me kujdes rreziqet që një propozim i tillë paraqet për rikthimin e konflikteve në Ballkan dhe të kundërshtojë ndarjen e Kosovës

“SHBA-ja po rrezikon vite të tëra investimesh politike, ushtarake dhe ekonomike në Kosovë, të mbështetur në potencialin e saj si një vend demokratik dhe multietnik dhe si një shembull i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Administrata e Presidentit Bill Klinton udhëhoqi bisedimet për zgjidhje paqësore kundër shtypjes së Beogradit dhe gati 10 vjet më vonë, SHBA-ja ishte e para që e njohu Kosovën si shtet të pavarur”, shkruan ai.

Kurt Bassuener

Eksperti jep edhe detaje të negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës, duke thënë se Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ia ka prezantuat Hashim Thaçit këtë ide duke e quajtur “demarkacion kufiri”. Bassuener thotë se ai e bindi presidentin e Kosovës duke i premtuar njohjen e sovranitetit nga Beogradi, Pekini dhe Moska, por sipas tij Rusia nuk ka gjasa të pranojë anëtarësimin e Prishtinës në institucionet ndërkombëtare.

“Serbia kurrë nuk e ka pranuar humbjen e kontrollit mbi Kosovën dhe e mbështetur nga Rusia, ka bllokuar vazhdimisht anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ideja e ndryshimeve të kufijve u prezantua nga korrikun e kaluar dhe për arsye të panjohura gjeti një përkrahës entuziast në Kosovë, Hashim Thaçin. Duke iu referuar ndryshimeve të kufijve si demarkacion, Vuçiç është zotuar për njohjen e Kosovës në këmbim të absorbimit të pjesës më të madhe apo të të gjithë veriut të saj”, thotë ai. Disa mbështetës të kësaj teze kanë deklaruar madje se marrëveshja mund të dobësojë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, por në të vërtetë, nuk ka asnjë arsye logjike që Moska të humbasë me vetëdije ndikimin që ka ndaj Serbisë”, argumenton eksperti.

Sipas tij, serbët në veri të Kosovës do të ndjeheshin sërish si pengje të një loje për të cilën nuk kanë asnjë siguri, ashtu si shqiptarët në anën tjetër të lumit Ibër, i cili ka gjasa të jetë vija e re e "demarkacionit",

Dhe pavarësisht këtyre zhvillimeve, deri më sot, ka pasur pak ose aspak mbikëqyrje në Kongresin Amerikan për ndryshimin e qëndrimit të Trump dhe Boltonit ndaj Kosovës. Sipas Toby Vogel, një ekspert i njohur amerikan për sa u përket çështjeve të sigurisë, shumica e anëtarëve të Kongresit janë pavetëdijshëm ose hezitojnë të pranojnë rrezikun jashtëzakonisht të lartë të rikthimit të konflikteve në Ballkanin Perëndimor, për të mos përmendur pasojat ato mund të kenë në marrëdhëniet midis SHBA dhe Gjermanisë.

“Shkëmbime të ngjashme territoresh e detyruan administratën Clinton të merrte seriozisht luftën në Bosnjë në vitin 1995. Zërat në Kongres nga të dyja palët ishin ndërgjegjja e Amerikës në atë kohë. Tanimë Ballkani ka nevojë që ata të flasin përsëri”, thotë ai.

Hashi Thaçi dhe presidenti Donald Trump

Sipas eskpertëve, Kongresi i ka kushtuar vëmendje episodike Ballkanit Perëndimor përgjatë viteve të fundit, duke u shprehur i gatshëm të angazhohet më shumë në vendet e rajonit, por krizat në Lindjen e Mesme kanë bërë që vëmendja të perqëndrohet atje.

“Kongresi duhet të vëzhgojë menjëherë shkëmbimet territoriale dhe qasjen e SHBA-së në rajon, e cila duket se udhëhiqet nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Përpjekja mund të fillojë me kërkesat për informacion dhe dëgjimin e raporteve të Komitetit për Punët e Jashtme në Kongres”, thotë Vogli. “Vetëm kështu, anëtarët e Kongresit mund të mbrojnë trashëgiminë, reputacionin, vlerat dhe interesat e Amerikës në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, thekson ai.

Nga ana tjetër, Vogel “fshikullon” edhe Federica Mohgerinin, duke thënë se po mbështet një skenar jo transparent ndaj qytetarëve të Kosovës, jetët e të cilëve do të preken drejtpërsëdrejt nga kjo marrëveshje. “Vetëm një numër i vogël i udhëheqësve të BE-së duket se e kanë miratuar këtë skenar. Thaçi thotë se Emmanuel Macron shprehu mbështetjen e tij, por shumica e liderëve të tjerë nuk duan të përfshihen në një çështje kaq të ndjeshme, duke i dhënë Mogherinit hapësirë për të manovruar”, thotë ai.

Ai akuzon SHBA-të se i ka bërë një presion të pashembullt Kosovës, duke shkuar aq larg sa të kërcënonin me terheqjen e trupave amerikane nëse Prishtina nuk rikthehet në tryezën e dialogut.

“Ky skenar për ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor ka hapur oreksin e vendeve të tjera në rajon, edhe pse Administrata Trump mohon mundësitë për ndryshime të mëtejshme kufitare”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë